Dëmtimet “kërcënojnë” kombëtaren, talenti i Teutës vishet kuqezi

Nuk kanë limite ndryshimet në listën e Kombëtares.

Por ndryshe nga hera e parë, ku u larguan Grezda dhe Binaku nga kombëtarja A, ndryshime ka pësuar lista e trajnerit të kombëtares U-21, të drejtuar nga Alban Bushi.

Në prag të ndeshjes kundër Turqisë, programuar për në datën 7 qershor, kuqezinjtë kanë humbur një tjetër futbollist. Bëhet fjalë për Jon Mersinaj, i cili është larguar nga grumbullimi dhe nuk do të jetë i disponueshëm për këto ndeshje.

Vendin e tij e merr Lorenco Vila nga skuadra e Teutës. 21 vjeçarët e trajnerit Bushi janë grumbulluar dhe stërvitur në qytetin e Elbasanit për disa ditë, ndërsa tani ndodhen në Durrës.

Në qytetin bregdetar ata do të qëndrojnë deri në datë 5 Qershor kur dhe do të nisen për në Stamboll. Shqipëria U-21 është duke kryer përgatitje intensive për ndeshjen zyrtare me Turqinë në transfertë dhe dy miqësoret me Uellsin.