Korça s’gjen qetësi, 230 banorët kalojnë natën në çadra

Emergjencat Civile, njoftojnë se 230 banorë në Korçë, pjesë më e madhe në fshatin Floq e kanë kaluar natën jashtë në çadrat që u ngritën nga Forcat e Armatosura pas tërmetit që u regjistrua dje, ndërsa lëkundjet ende vijojnë. “Janë evidentuar 184 banesa të dëmtuara, 60% e të cilave të pabanuara. 230 banorë janë strehuar në çadrat kolektive të ngritura, 160 në Floq, 40 në Vidovë dhe 30 në Qafëzes. Deri me tani raportohet për 8 kabina elektrike të dëmtuara nga tërmeti”,-njoftojnë Emergjencat Civile.

Banorëve ju është siguruar ushqimi, uji i pijshëm, krevate dhe batanije. Frika dhe paniku ndihet ne cdo familje ne fshatin Floq. Përpos ditës së djeshme ku u regjistruan mbi 20 lëkundje pas tërmetit 5.3 ballë edhe sot kanë vijuar. Prej orës 00:35 minuta deri në 06:37 të mëngjesit të sotëm janë regjistruar 10 lëkundje me magnitudë deri në 3.5 ballë duke shkaktuar frikë dhe panik te banorët e juglindjes së vendit. Epiqendra e tërmetit është fshati Floq. Mes banorëve te evakuuar ka shumë fëmijë e gra, madje dhe shtatzëna. Drejtori i përgjithshëm Haki Cako ishte dje me banorët që u prekën nga këto lëkundje ku deklaroi angazhim maksimal të institucioneve.

Sizmologu Rrapo Ormeni, thotë se pas goditjes kryesore dje në qarkun e Korçës, me epiqendër nw Floq, të tjerat vijnë duke u shuar dhe nuk paraqesin rrezik. “Prej goditjes së djeshme deri tani janë lokalizuar mbi 60 tërmete me magnituda të dallueshme, 3 prej tyre të konsiderueshme mbi 4.7 rihter. Kemi pasur edhe goditje të tjera, janë regjistruar 60, por më të vogla, 9 prej tyre kanë qenë mbi 4 ballë dje. Goditjet e sotme kanë magnitudë të ulët. Nga goditja e parë nga dëmtimet, të tjerat e humbin rezistencën. Por, gjatë ditës së sotme goditjet janë me intensitet të ulët dhe shpejtësia në kohë është e vogël, që tregon se do të vijnë duke u shuar. Tërmetet nuk parashikohen por ne gjykojmë që goditjet kryesore kanë kaluar, të tjerat vijojnë disa ditë, por të vogla”,-deklaroi ai.

Banorët: Shteti të ngrihet në këmbë

Banorët e tmerruar në fshatin Floq, së bashku me fëmijët po qëndrojnë jashtë banesave pasi kanë frikë të futen brenda. “Do vendosë dorë shteti? Ku do rrinë njerëzit? Shtëpitë janë dëmtuar, plasaritur. Ku do flemë? Ku do rrimë. Kemi frikë të futemi brenda, kur të futesh atje”,-thotë një banor.

Ata thanë se tërmeti ka shkaktuar shumë dëme dhe se nuk i ka ardhur asnjë ndihmë nga shteti. “Këtu duhet të ngrihet shteti në këmbë. Këtu nuk është asnjë. Shikon ndonjë ndihmë këtu? Shumë dëme janë shkaktuar. Gjithë fshati është shkatërruar. Në shtëpi nuk hyhet sot. Ama dhe shteti duhet të vinte në ndihmë”.

Banorët kanë bërë apel që të shpallet gjendja e jashtëzakonshme. Asnjë prej tyre nuk pranon të futen në banesë, për shkak se i tremben një tërmeti të radhës. “Isha shtrirë dhe në momentin që doja të ngrihesha, pata një aritmi të tmerrshme. Ime shoqe u trondit shumë. Menjëherë mora në telefon vajzën, që jeton në kat të gjashtë dhe ajo ishte shumë e trembut. E dyta më tmerroi fare. Nuk kthehemi në shtëpi sepse mund të përsëritet sërish. Unë dola në tërmetin e tretë”, u shpreh një tjetër banor i zonës.

FA-të vendosin çadra për banorët

Në zonat e prekura nga tërmeti në rajonin e Korçës kanë mbërritur që pasditen e së shtunës çadrat, shtretër dhe batanije për familjet, banesat e të cilave janë dëmtuar. Efektivë të FA-së në Detashmentit të Mbrojtjes Rajonale, janë në ndihmë të banorëve për nevojat e tyre.

Prefekti Dhori Spirollari mblodhi në herët shtabin e emergjencës pas situatës së krijuar nga tërmetet e njëpasnjëshme. Sipas prefektit banorët nuk do lejohen të hyjnë në banesa e tyre, pasi një pjesë e tyre janë kthyer në të pabanueshme.

“Bashkia e Korçës të marrë masa për ujin e pijshëm. Nëse do na duhen vullnetarë, rinia korcare të na vijë në ndihmë”, deklaroi prefekti. Banorët do të sistemohen nëpër çadra, ndërkohë që do shpërndahen ushqime në fshatrat Floq, Qafzezë dhe Vidohovë. Kompanitë private, gjithashtu janë ofruar paketa ushqimore.