Tirana, “qytet-shtet” – Rrit hegjemoninë, e para në 10 degë të ekonomisë ndër 11

Rritja e ndjeshme e Prodhimit të Brendshëm Bruto të Tiranës, me rreth 8 pikë përqindje në 2017-ën, si dhe tkurrja e ekonomisë në pjesën më të madhe të vendit, kryesisht në jug, ka bërë që kryeqyteti të rrisë ndjeshëm hegjemoninë.

Kështu, të dhënat tregojnë se, Prodhimi i Brendshëm Bruto i Tiranës, në 2016-ën, ishte sa 40% e prodhimit kombëtar. Në 2017-ën ndërkohë, kjo normë është ngjitur në rreth 42%, duke bërë që Tirana të rrisë edhe më epërsinë që ka krijuar. Centralizimi kaq i egër dhe i shpejtë i ekonomisë së vendit në një qark të vetëm është mjaft i dëmshëm, pasi prodhon pabarazi dhe problem demografike mjaft të mëdha, që mund të prodhojnë fenomene tejet negative dhe të patjetërsueshme në të ardhmen e afërt.

Tre qarqe të vendit; Tirana, Elbasani dhe Fieri zënë 62% të prodhimit kombëtar. Hegjemonia e Tiranës vihet re edhe te dominimi i degëve të ekonomisë, pasi në 10 nga 11 të tilla, Tirana kryeson. Vetëm në bujqësi, kryeqyteti nuk udhëheq. Në të gjithë degët e tjera, si ndërtimi, tregtia, madje edhe industria nxjerrëse, Tirana kryeson, duke zënë nga 35% deri në 76% të aktivitetit total të sektorit.

Kështu, diferenca mes kryeqytetit dhe qarqeve të tjera është e ndjeshme dhe ekonomia është thuajse e gjitha e përqendruar në Tiranë. Vetëm Fieri është në gjendje të konkurrojë disi kryeqytetin, duke i shkaktuar të vetmen humbje, në bujqësi.

/SCAN