Rrëfehet Edy Reja: Kam ende fuqi, ja si mund ta bëjmë ëndrrën realitet

Trajneri i kombëtares sonë, Edy Reja ka dhënë sot një intervistë për “Corriere dello Sport” duke rrëfyer impresionet e para për aventurën e re që ka nisur në krye të kuqezinjve. Ai ka komentuar prapaskenën se si erdhi në krye të Shqipërisë dhe kontratën e cila mund të zgjatet deri në dy vjet.

Si ju bindi Duka? 

“Duka më telefonoi dhe më pyeti për planet duke më thënë se isha i nevojshëm nëse do të isha i lirë. Folëm me të dhe e pashë në ndeshjen ndaj Turqisë. Më duhej të shkruaja disa raporte në lidhje me futbollistë që po ndiqeshin nga Napoli dhe Atalanta. Më telefonoi edhe kryeministri Edi Rama dhe e takova në Itali kur erdhi të shihte Lacion pasi është tifoz i madh i Juventusit”.

Më 8 qershor do të debutoni në ndeshjen ndaj Islandës dhe më pas më 11 do të luani në shtëpi ndaj Moldavisë. 100 herë në pankinë dhe tani te Shqipëria.

“Mund të them me krenari që pas 35-36 vite aktivitet si trajner ndjej ende forcë sa i përket aspektit fizike. Kam firmosur deri në nëntor për 6 ndeshje zyrtare, por më kanë propozuar edhe për dy vite. U kam thënë që do të presim të shohim nëse do të përshtatemi, nëse do të arrijnë rezultate, do të punojmë edhe në të ardhmen. Nëse gjithçka do të shkojë si duhet, do të vijojmë edhe për dy vite të tjera”.

Çfarë ju kanë kërkuar?

“Për të bërë mirë, për të kërkuar kualifikimin në “Euro 2020”. Duke përjashtuar Francën, mund të luftojmë me skuadrat e tjera, duke futur këtu edhe Turqinë. Do të japim gjithçka. I respektoj të gjithë, nuk kam frikë nga asnjë, nuk ka ndeshje të humbura. Kam folur me futbollistët, u kam transmetuar besim. Më duket që ka harmoni. Kur zbresin në fushë janë krenarë. E ndjejnë që përfaqësojnë kombin e tyre. Të shtunën do të luajmë një miqësore me U-21, kështu do të shoh edhe ndonjë të ri”.

Çfarë ju premton Reja tifozëve shqiptarë?

“Impenjim total, shpirti i sakrificës, shumë vuajtje. Besoj shumë te grupi. Kemi kualitet, duhet ta shfaqim 100 për qind, do të marrim frytet e punës. Dua që lojtarët të kenë shumë dëshirë dhe qetësi. Europiani është një ëndërr. Ëndrrat kanë nevojë për t’u besuar, ka vetëm një gjë që mund ta mësosh duke e konkretizuar dhe frika për të mos ja dalë, nuk duhet të kemi dyshime”.

Tare të ka ndihmuar?

“Po, sigurisht. Më ka dhënë një dorë të mirë, kemi folur për futbollistët. Kam bërë një xhiro në Europë për t’i ndjekur nga pranë. U ballafaqova me vlerësimet e tij, duhet ta falënderoj, më ka ndihmuar për të ardhur te Shqipëria, ka thënë fjalë të mira për mua te Federata dhe Edi Rama. Kam vetëm një keqardhje që lidhet me Lazion. U largova në vitin 2012 pas një punë të mirë, ja lash tryezën e shtruar trajnerit Petkovic”.

Sarri do të shkojë te Juventusi?

“Mendoj se Sarri do të shkojë te Juventusit, por nuk e di se çfarë do të ndodhë. Ai është një trajner i veçantë, por e shoh më mirë në një ekip me të rinj dhe kualitet. Të rinjtë e ndjekin totalisht dhe e pranojnë më mirë lojën e tij. E shoh më mirë në një ekip të freskët, është shumë kërkues dhe i përpiktë nga pikëpamja taktike, por mbetet një trajner i madh”. /Rozalb Lika-Koha Jone/