Gjyqtarët, rroga edhe pas shkarkimit. KLGJ: Paga ndërpritet pas rrëzimit në Apel

Gjyqtarët e prokurorët e rrëzuar nga Vetting-u vijojnë të peshojnë në xhepat e taksapaguesve shqiptarë edhe pas shkarkimit nga detyra.

Kjo, ngaqë edhe pasi shkarkohen nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, shkalla e parë e Vetting-ut, marrëdhëniet financiare me shtetin i ndërpresin kur vendimi merr formë të prerë nga apeli i Vetting-ut. Scan ka zbardhur një analizë të këshillit të Lartë Gjyqësor, ku specifikohet se këta gjyqtarë vijojnë të paguhen deri në momentin e rrëzimit në apel.

“Aktualisht ka një numër gjyqtaresh te cilët de Jure janë ne detyre dhe paguhen pjesërisht per shkak se pas përfundimit te procesit te vlerësimit ne instancat e shkalles se pare (Komisionit te Pavarur te Kualifikimit) këta gjyqtare janë pezulluar nga detyra deri ne një vendim përfundimtar nga Komisioni i Posaçëm i Apelimit, ndërsa de facto këta gjyqtare nuk janë ne detyre, pra nuk kontribuojnë ne shqyrtimin dhe evadimin e çështjeve gjyqësore”, thekson në analizë KLGJ, duke e vënë theksin te problemet e rënda që kanë shkaktuar në sistemin e drejtësisë boshllëqet e shumta të shkaktuara nga Vetting-u.

Nga të dhënat zyrtare rezulton se Komisioni i pavarur i Kualifikimit ka dhënë deri në fund të muajit prill në total 141 vendime, nga të cilat 56 vendime për konfirmimin në detyrë të 25 gjyqtarëve, 23 prokurorëve dhe 7 ndihmësve ligjorë/kandidatë për magjistratë; dhe 52 vendime për shkarkimin nga detyra të 31 gjyqtarëve, 19 prokurorëve dhe 2 ndihmësve ligjorë/kandidatë për magjistratë.