Balla kërkon pafajësi: Shkelzen Berisha, rasti ku njerëzit me pushtet janë pasuruar

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla kërkon pafajësi  për padinë e ngritur  ndaj tij nga djali i ish-kryeministrit, Shkelzen Berisha, proces gjyqësor i cili vijon prej muajsh në Gjykatën e Tiranës.

Balla tha se kjo është një betejë e drejtësisë që duhet të fitojë.

Balla: Rasti i Shkelzen Berishës është rasti konkret ku njerëzit me pushtet janë pasuruar. Unë jam shumë i sigurt se të gjitha dosjet e korrupsionit do të zbardhen. Asnjë dosje korruptive këto 28 vite nuk do mbetet pa u hetuar

Për Ballën, dosja CEZ është një prej korrupsioneve të mëdha.

Balla: Me 30 qershor fiton shteti dhe shqiptarët. Kush politikan punon natë e ditë kundër interesave të Shqipërisë e ka të humbur.

Seanca e radhës do të mbahet më datë 12 qershor ku Prokuroria do të japë konkluzionet.

Një seancë më parë Shkelzen Berisha kërkoi shpalljen fajtor të Ballës për veprën penale të shpifjes.

Djali i ish-kryeministrit tha se ka besim se gjykata do ta dënojë Ballën për shpifje dhe pas përfundimit të procesit penal, ai do të depozitojë edhe një padi civile për dëmëshpërblim, vlerën e të cilës tha do ta vendos pasi të konsultohet me avokatët e tij.