Ndryshimi i madh në PS. Rama thotë: “Opozita rrugore”, kurse Ditmir Bushati: “Opozita politike”

Sot në parlamentin e Shqipërisë folën Taulant Balla, shefi i deputetëve të PS dhe Rudina Hajdari, kryetarja e komisionit të Integrimit. Balla lavdëroi kryeministrin dhe qeverinë duke sulmuar opozitën PD-LSI, kurse Hajdari gjoja sulmoi paksa qeverinë dhe masakroi opozitën e vertetë.

Por nuk kishte se si të mos fliste ish-ministri Ditmir Bushati, i cili u prit në fund të fjalës së tij me duartrokitje nga krejt salla e parlamentit. Ditmir Bushati e nisi që në fillim fjalën e tij ndryshe nga kryeministri. Ai e theksoi fort toggjalëshin “ne, socialistët dhe progresistët”, duke lenë kastile pa përmendur fjalën “rilindje” të cilën e pëlqen Edi Rama dhe Taulant Balla.

Ditmir Bushati në fjalën e tij, e cila ishte ekselente qoftë nga mesazhi ashtu edhe nga artikulimi elokuent, theksoi dy gjëra.

Së pari, ai tha se mazhoranca duhet patjetër të merret vesh me opozitën politike, pra me PD-LSI dhe partitë e tjera të spektrit të djathtë dhe jo vetëm me opozitën parlamentare momentale. E theksoj togfjalëshin “opozitën politike”, ndërkohë që kryeministri Rama e quan “opozitën rrugore”.

Ndryshim i madh substancial!

Sapo mbaroi fjalën Ditmir Bushati doli mënjëherë Taulant Balla (natyrisht pas ndonjë sms-je të Edi Ramës) dhe rrëzoi atë çka tha Ditmir Bushati. Balla sulmoi opozitën e vertetë PD-LSI dhe theksoi se “PS do merret vesh me deputetët e “opozitës së re”. Pra sulmoi Ditmir Bushatin që foli në mënyrë atdhetare dhe politike, fjalim që siç thamë u duartrokit nga të gjithë.

Por duke vazhduar me mesazhin e dytë kryesor të Ditmir Bushatit mund të themi se ai insistoi se duhet një Marrëveshje e madhe për vendin, për shqiptarët, me OPOZITËN POLITIKE, pra që nënkupton opozitën reale qe janë PD-LSI.

Ditmir Bushati kërkoi hapur dhe njëherë reflektim të krejt klasës politike për të gjetur ura komunikimi dhe mirëkuptimi në favor të vendit.

Ndaj u duartrokit nga deputetët të gjithë krahëve në sallën e Kuvendit, sot Ditmir Bushati.

Edhe në PS ka plot deputetë më dinjitet, eksperiencë dhe atdhetarë.

Ndaj foli ish-ministri Bushati!

S.Prulli