717 mln USD “shpëtojnë” përmbytjet – Si do të ndahen fondet për “pikat e dobëta”

717 milionë dollarë është kostoja totale e shtrirë në një periudhë 13-vjeçare që vendi ynë të “shpëtojë” përfundimisht nga përmbytjet, një fenomen që përsëritet vit pas vitit për shkak të infrastrukturës së amortizuar dhe ndërtimeve pa kriter. Kjo shumë specifikohet në Strategjinë Kombëtare e Ujitjes dhe Kullimit 2019-2031, e cila ka hyrë në fuqi, dhe do të përdoret konkretisht për  rehabilitimin   dhe modernizimin e infrastrukturës së ujitjes, infrastrukturës së kullimit, digave të rezervuarëve të ujitjes dhe objekteve të mbrojtjes nga përmbytja.

Kështu, 253.6 milionë USD,  do të shkojnë për për  të mundësuar  ujitjen  në sipërfaqen potencialisht të ujitshme prej 360 000 ha; 56.5 milionë USD,  për rikthimin e infrastrukturës së  kullimit në  parametra optimal në sipërfaqen potencialisht të kalueshme prej 280 000 ha; 130.2 milionë USD, për rehabilitimn e 410 digave  (ose  rreth  65%  e  numrit  të  përgjithshëm) për  rritjen e  sigurisë së tyre dhe garantimin  e burimeve ujore për skemat ekzistuese; 276.8 milionë USD, për rritjen  e sigurisë  së mbrojtjes nga   përmbytja lumore dhe detare, nëpërmjet rehabilitimit/ rikonstruksionit të argjinaturave ekzistuese dhe ndërtimit të strukturave reja.