Edi Rama po provokon dhunë më 2 qershor

Kur mbeten dhe 3 ditë nga nisja e fushatës së Partisë Socialiste, duke hyrë në zgjedhje për herë parë e vetme, kryeministri Edi Rama po tenton me çdo kusht që protestat e opozitës të jenë të dhunshme.

Gjithë qëndrimet e kreut të qeverisë gjatë javëve të fundit nuk kanë pasur si qëllim zgjidhjen e krizës, por provokimin e opozitës me çdo mjet për të sjellë një reagim të fortë të qytetarëve protestues. Në situatën aktuale, kur kryeministri po shkon në garë vetëm, kur nuk ka asnjë bilanc pozitiv qeverisës dhe kur negociatat me BE janë në pikëpyetje, e vetmja mënyrë që do t’ja justifikonte sjelljen e tij është kaosi i protestave të dhunshme. Rama e ka më të lehtë të bëjë “viktimën” para ndërkombëtarëve kur del flet për sulmet me molotov, sesa kur i duhet të sqarojë shqiptarët dhe të huajt se përse nuk largohet nga detyra për t’i hapur rrugën zgjidhjes së krizës.

Me datën 25 maj opozita tregoi se protestat janë paqësore dhe kërkohet një zgjidhje politike afatgjatë, që nis me largimin e kryeministrit Edi Rama. Pas kësaj proteste, që për nga pjesëmarrja dhe mesazhet paqësore zhgënjeu vetëm kryeministrin, kreu i qeverisë ka nisur një skenar tjetër. Në letrat e fundit publike, vihet re se kryeministri tenton me çdo mjet që të provokojë opozitën dhe qytetarët duke përdorur gjuhë luftë nxitëse dhe fyese jo thjesht për partitë e opozitës, por çdo qytetar që mendon ndryshe nga ai.

Ndërsa sot, një Prokuroria ka nisur hetim për të paktë gjashtë ish-deputetët të PD. Flamur Noka, Enkelejd Alibeaj, Gent Strazimiri, Klevis Balliu, Xhemal Gjunkshi, Anton Frrokaj akuzohen se kanë hyrë më dhunë ambientet e policisë dhe kanë goditur efektivët e policisë. Ngjarja ka ndodhur dy muaj më parë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, kur deputetët kërkuan llogari nga oficerët e policisë për ndalimin dhe arrestimin e disa protestuesve.

Jo rastësisht Prokuroria dhe Qeveria është kujtuar vetëm këto ditë për një ngjarje të ndodhur dy muaj më parë. Ndërkohë që për gazin helmues ndaj qytetarëve, arrestimet e paligjshme dhe dhunën në komisariate, të denoncuar nga Avokati i Populli dhe jo vetëm nga opozita, nuk ka asnjë procedim apo verifikim nga institucionet. Më shumë se zbatimi i ligjit, qeveria po kujdeset që të jap mesazh ndaj zyrtarëve të opozitës, të cilët pa mandatin e deputetit mund të shoqërohen nga policia në çdo kohë në komisariat. Ndaj gjithë aktet e ditëve të fundit të qeverisë kanë qëllim vetëm tensionimin e situatës dhe kthimin e mitingut të 2 qershorit në një tubim të dhunshëm.

Opozita deri më sot, veç incidenteve sporadike, ka treguar se në axhendën e saj nuk ka dhunën ndaj institucioneve. Por çështja shtrohet se deri sa do durojnë mbështetësit e opozitës? Përballë sjelljes provokuese dhe luftënxitëse të kryeministrit edhe nëse opozita kërkon që protestat të jenë paqësore, mund të jenë qytetarët atë që nuk e durojnë dot më ketë maskaradë qeveritare.