Presidenti Meta: Shqipëria e Madhe? Delirime nga politikanët autoritarë

Në fjalën e tij në konferencën e organizuar nga Shoqata George C. Marshall Shqipëri, me temë “Sfidat e Sigurisë në Ballkan dhe roli i aktorëve të jashtëm në kohën e tranzicionit euroatlantik”, kreu i shtetit Ilir Meta foli me tone kritike, ndaj tezave për bashkim të shqiptarëve në Ballkan.

“Nuk ka komb në Ballkan që kanë përfituar më shumë nga rënia e perdes së hekurt, nuk ka komb në Ballkan që ka qenë më i shtypur para viteve ’90. E mbajmë mend shumë mirë se çfarë ishte Rumania e Jugosllavia, ne ishim thjesht një Kore e Veriut në atë kohë. Dëgjojmë shpesh, pse mos bashkohen të gjithë shqiptarët, po natyrshëm pse mos të bashkoheni kroatët, të gjithë boshnjakët etj.

Këto delirime janë një diabolizëm i gjallë, një pëpjekje e politikanëve për të provokuar tema, për të shmangur vëmendjen nga cështje të brendshme. Dhe shpesh e bëjnë këtë edhe në mënyrë të koordinuar. Dhe ndërkohë çfarë ndodh ikin të rinjtë, nga Kosova, Serbia, Maqedonia, ikin kudo dhe na ftojnë për të parë një film që e kemi parë kudo.

Bëhet fjalë për një rajon Ballkanin Perëndimor, në një situatë kur pesha e Europës nga pikëpamje ekonomike ka rënë në  Botë, kur globalizimi vë në rrezikk të gjithë vendet e vogla dhe gara është mes rajoneve dhe ne thellojmë ndarje për arsye më shumë personale”, theksoi Meta.

Ndërkohë Meta ka folur edhe për krizën politike në Shqipëri. Ai thotë se nuk mund të flitet për sukses të reformës në drejtësi, kur nuk kemi Gjykatë Kushtetuese.

Ne flasim për sukseset e reformës në drejtësi. Unë i jam shmangur kësaj çështje publikisht, pavarësisht se me partnerët ndërkombëtarë kam folur hapur prej kohësh.

Po bën 3 vite nga miratimi me konsensus i reformës në drejtësi dhe mund t’ju them që po të ishte vërtet një sukses, Shqipëria asnjë minutë nuk do të ishte pa gjykatë kushtetuese.

Kur është bërë reforma kam qenë kryetar kuvendit, kam thënë prit: Vettingu po, patjetër, por do të kemi kujdes sepse mund të kërcënohet funksionimi i Gjykatës Kushtetuese.

Reforma nuk bëhet me retorikë dhe presione, bëhet me standarde. Nëse reforma bëhet me emra atëherë nuk ka një reformë të qëndrueshme, por ka forma të reja për kapjen e institucioneve.

Vijmë tek rasti i Gjykatës Kushtetuese, sepse nuk mund të jem i qetë pa e nxjerrë këtë merak me ju. Dy herë janë hedhur shortet e KED-së, që është institucioni kryesor që ka të bëjë edhe me zgjedhjen e Gjykatës Kushtetuese dhe të Inspektorit të Përgjithshëm.

Kam bërë përpjekjet më të mëdha që gjithçka të bëhet në përputhje me kushtetutën.

Herën e dytë, si president duke ditur dështimin e herës së parë që u humb një vit kohë dhe askush nuk mbante përgjegjësi, sepse njëra palë thoshte me ka dezinformuar ky, tjetri thoshte ky, papërgjegjshmëri totale përfshi edhe partnerin ndërkombëtar. Kam kërkuar me shkrim angazhimin e delegacionit të BE dhe Euralius dhe kam folur hapur, më takon si president, që të unifikojmë një qëndrim të përbashkët, mos kemi debate, mos kemi kontestime dhe ditën e fundit Euralius çon përgjigje se nuk vijmë dot në takim se jemi mision teknik, kjo do të thotë se ke marrë porosi politike.

Unë nuk e di nga u mor kjo porosi politike. Bëhet fjalë për institucionet e këtij vendi. Kjo nuk mund të jetë drejtësi europiane, nuk do luftojë korrupsionin e krimin e organizuar më shumë, dhe në fund vijoni dëgjoni historitë e peshqve. Reforma do jetë më e suksshme kur të kemi më shumë investime amerikane e gjermane’, tha gjatë ditës së sotme presidenti Ilir Meta.