Meta takon zv/kryeministrin Fatmir Limaj: Kosova e ka merituar prej kohësh heqjen e vizave

Presidenti Ilir Meta është takuar sot me Zv/Kryeministrin e Kosovës, Fatmir Limaj, i cili ndodhet në Tiranë për të marrë pjesë mbledhjen e përbashkët të qeverive të dy vendeve.
Në një mesazh në rrjetet sociale, Presidenti shprehet se Kosova e ka merituar prej kohësh heqjen e regjimit të vizave me Bashkimin Europian, duke i përmbushur tërësisht të gjitha kriteret.
Mesazhi i plotë i Presidentit Ilir Meta në Facebook:
Takim i përzemërt me Zv/Kryeministrin e Kosovës, z.Fatmir Limaj, i cili më njohu me dakordësinë e arritur dje ndërmjet dy qeverive për zbatimin e një sërë marrëveshjesh që do ta forcojnë më tej bashkëpunimin midis vendeve tona.
Vlerësuam mbarëvajtjen e zgjedhjeve të pjesshme vendore të zhvilluara së fundmi në Kosovë.
Kosova e ka merituar prej kohësh heqjen e regjimit të vizave me Bashkimin Europian, duke i përmbushur tërësisht të gjitha kriteret.
Forcimi i mëtejshëm i partneritetit të Kosovës me SHBA dhe BE, garanton integrimin euroatlantik të saj dhe konsolidon sigurinë në rajonin tonë.