Një qeveri me taksa të larta, të shumta dhe kontradiktore

Ervis Iljazaj

Pas Rrugës së Kombit, Ministria e Transportit ka bërë me dije se autostrada Tiranë-Durrës, që është rruga më e rrahur dhe ku jetojnë gjysma e shqiptarëve, do të jepet me koncesion. Që do të thotë se cilido që do të kalojë në atë rrugë do të paguajë kompaninë koncesionare, e cila do të jetë përgjegjëse për mirëmbajtjen e saj. E gjitha kjo bëhet me pretendimin se kostot për mirëmbajtjen janë të papërballueshme për buxhetin e shtetit dhe kushdo që do ta përdorë atë duhet të paguajë për shërbimin që merr.

Deri këtu nuk ka asnjë gjë të çuditshme, pasi në shumë vende europiane dhe përtej saj autostradat janë me pagesë. Problemi qëndron se qeveria Rama ka një sistem fiskal, i cili nuk kuptohet dhe shpeshherë është kontradiktor për sa i përket modelit të zhvillimit dhe filozofisë të kësaj qeverie. Nëse duam të kuptojmë raportin midis qytetarëve dhe pushtetit, e cila është mënyra më e mirë për të përcaktuar formën e qeverisjes dhe të shtetit që kemi të bëjmë, është pikërisht mënyra e taksimit, si elementi kryesor i këtij raporti.

Ka një kontradiksion të thellë apo inkoherencë, ose mospërputhje, mund ta quajmë si të duam, të politikave fiskale të qeverisë Rama. Është inkoherenca e mënyrës së taksimit të qytetarëve, e cila tregon se qeveria nuk ka një vizion apo mënyrë qeverisjeje të qartë në këtë fushë. Qeveria Rama është duke aplikuar taksa të majta dhe të djathta njëkohësisht, gjë e cila është e papranueshme dhe shpesh çon në revolta qytetare. Rasti më flagrant që demonstron kontradiksionin e sistemit fiskal është taksimi i dyfishtë i qytetarëve për mirëmbajtjen e rrugëve. Qytetarët shqiptarë sot paguajnë një taksë mbi karburantin rreth 30 lekë, të cilat shkojnë për mirëmbajtjen e rrugëve. Tanimë, përveçse taksës indirekte për të mirëmbajtur rrugët, do u shtohet edhe një taksë direkte që duhet t’iu paguhet koncesionarëve. Një paradoks në raportin midis qeverisë dhe të qeverisurve.

Sapo erdhi në pushtet në vitin 2013, Edi Rama vendosi taksën progresive, në koherencë me krahun politik, të cilin përfaqëson atë të majtë, edhe pse i moderuar me ardhjen e tij në krye të Partisë Socialiste.

Në këtë kuptim, politikat fiskale që propozoi qeveria Rama ishin politika të majta, duke u bazuar te slogani: “Kush fiton më shumë paguan më shumë”. Jo vetëm kaq, por në përgjithësi u ndoqën politikat e taksave të larta, duke nënkuptuar se, ishte shteti ai që do të kujdesej për shërbimet publike.

E majta kryesisht takson shumë duke i dhënë një rol të rëndësishëm shtetit në shërbime dhe ekonomi. Në shumë shtete sociale, sidomos në Europën kontinentale, taksat janë të larta dhe qytetarët pranojnë t’i paguajnë ato përkundrejt shërbimeve që më pas shteti u jep atyre.

Mirëpo, kundër këtyre politikave të taksave të majta, Edi Rama po u kërkon qytetarëve të paguajnë edhe taksa të llojit kapitalist dhe të tregut të lirë, apo të djathta, siç është pagesa për Rrugën e Kombit dhe tanimë dhe ajo Tiranë – Durrës, ku presupozohet që qytetarët që do të përdorin atë rrugë duhet ta vetëfinancojnë nëpërmjet pagesës dhe shërbimi do u kthehet mbrapsht nëpërmjet një kompanie private.

Qeveria Rama duhet të zgjedhë ose njërën, ose të tjetrën mënyrë taksimi, sepse të dyja janë një barrë e papërballueshme për qytetarët shqiptarë. Një qeveri ose mban nivelin e taksimit të lartë dhe kujdeset vetë për shërbimet publike, ose ul taksat dhe shërbimet ia lë në dorë privatit, sipas parimit kosto-përfitim apo tregut të lirë, që është një mënyrë vetërregulluese dhe vetëfinancuese për çdo sektor, edhe atij të transportit.

Mënyra e fundit është mënyra më e mirë për zhvillimin ekonomik shqiptar, pasi të pranosh taksat e larta dhe shërbimet publike nga shteti, më së pari, duhet të kesh një administratë efikase dhe së dyti, duhet të kesh një klasë politike të përgjegjshme dhe të ndershme. Të dyja këto elemente nuk ekzistojnë në realitetin shqiptar. Kështu që, taksat e ulëta, iniciativa e lirë ekonomike dhe roli i vogël i shtetit në ekonomi dhe shërbime, është rruga që Shqipëria duhet të ndjekë për zhvillimin e saj.