A janë sabotuar dosjet 339 e 184? Si përgjigjet n/kryetari i KLP

Nënkryetar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla i ftuar në emisionin “A show” në News 24  tha se ky institucion po punon mirë edhe pse ka pak muaj që është krijuar.

I pyetur për dosjet 184 dhe 339 nëse janë sabotuar apo jo, Balla dha detaje për këtë proces, ku shtoi  ndër të tjera se hetimet në dosjen me numër 339 kanë nisur hetimet për trafik droge dhe jo për blerje zgjedhjesh siç pretendohet në media apo nga diskursi  i përgjithshë politik dhe mediatik.

Ai  pohoi se këto hetime vijojnë teksa shtoi se çdo dosje ka afatin e saj kohor për hetim.

Pjesë nga biseda:

Balla: KLP ka vetëm 5 muaj që është krijuar. Duke parë ecurinë, po besoj se po punojmë mirë.

Pyetja: Dosjet 339 dhe 184 janë dosje shumë të përfolura , a janë sabotuar këto dy dosje?

Balla: Absolutisht jo. Media dhe publiku kanë disa informacione të vogla. Ajo dosja 339 nuk ka filluar për vjedhje votash, por ka filluar për trafik droge dhe rastësisht janë kapur disa përgjime. Detyra e Prokurorisë është që të kap akuza kryesore dhe kjo çështje po shihet hap pas hapi.

Pyetja: Zhurma që ka bërë media, e ka justifikuar?

Balla: Ne kemi afatet tona procedurale. Afatet maksimale për një çështje janë dy vjet. KLP dhe prokurori i përgjithshëm nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë për hetimin konkret të një çështjeje. Prokurori është zot i çështjes. Prokurorët nuk është se nuk japin llogari, por çdo hetim para se të shkojë në gjykatë  është sekret shtetëror. Ai e ka të sanksionuar në kod.Mendimi dhe trysnia ndaj prokurorëve perceptohen nga të gjithë. Prokurorët për momentin në vend kanë frikë nga vettingun.

Kryeministri nuk është prokuror, por përgjithësisht ka folur drejt. Përgjim bëhet me vendim  të gjykatës dhe i gjithë materiali i vjelur nga përgjimet është sekret shtetëror. Edhe media nuk duhet ta publikojë, por edhe nëse ndodh ju keni shkelur ligjin. Për të kuptuar se kush e nxjerrë një përgjim duhet të bësh një hetim. Në rastin konkret mendoj se mund të ketë rrjedhur nga avokatia. Përgjimi është mjet për përkimin e provës. Përgjimi është i rëndësishëm për hetimet aktive, ndërsa në rastet e flagrancës mund të këtë pak volum.