Paralizuan të moshuarin dhe i grabitën paratë, policia arreston autorët

Policia ka arrestuar tre persona të dyshuar si të implikuar në grabitjen e një banese në Peqin, teksa ka shpallur në kërkim edhe një 19-vjeçar. Policia njofton se mes të arrestuarve, është edhe një 27-vjeçare nga Durrësi.

“Pas një pune të mirë-organizuar hetimore dhe profesionale dhe në bazë të provave të grumbulluara, bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasve: B.H., 30 vjeç, M.Ll., 27 vjeç, të dy banues në Peqin dhe E.Sh., 27 vjeçe , banuese në Durrës. Vijon puna për kapjen edhe të një prej autorëve të dyshuar të vjedhjes i cili është shpallur në kërkim, shtetasi S.I., 19 vjeç”, njofton policia.

Ngjarja ka ndodhur mbasditen e së martës, ku sipas deklaratave të të moshuarit Skënder Zeqiri, një çift bashkëshortësh kanë trokitur në banesën e tij dhe i kanë kërkuar që zonja të hyjë në tualet për të kryer nevojat personale.

76-vjeçari i ka pranuar të hyjnë brenda, por sapo ka mbyllur derën, çifti i ka ofruar një pije. Pasi ka pirë lëngun, i moshuari nuk ka mundur të bëjë asnjë lëvizje, sepse e ka paralizuar përkohësisht. Pavarësisht kësaj, i moshuari është përpjekur që të bëjë rezistencë. Kjo i ka detyruar autorët që ta lidhin.

Më pas, çifti ka nisur të kontrollojë në banesë dhe kanë gjetur e marrë bizhuteri me vlerë, si edhe dyshohet se i kanë marrë edhe një sasi prej rreth 60 mijë eurosh. 76-vjeçari ishte tregtar rrobash në Peqin dhe paratë i kishte të ardhurat nga aktiviteti prej shumë vitesh.

Dy autorët, pasi kanë përvetësuar shumën e parave, janë larguar duke humbur çdo gjurmë. Kur i ka ardhur kujtesa, i moshuari ka nisur të bërtasë dhe kanë qenë fqinjët ata që kanë hyrë në banesë, duke mësuar për ngjarjen dhe më pas kanë lajmëruar Policinë.