Korrupsioni/ ILDKPKI: 315 deputetë e kryebashkiakë në Prokurori dhe te Pastrimi i Parave

315 zyrtarë të rangjeve më të larta janë referuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Pastrimit të Parave apo Prokurori nën dyshimin e përfshirjes nëpër afera korruptive apo përfitime të paligjshme.

E dhëna vjen nga raporti zyrtar i aktivitetit për vitin 2018 të ILDKPKI, institucioni që depoziton dhe heton deklaratat e pasurive të zyrtarëve të lartë.

Inspektorati i Lartë, gjatë periudhës 2014 – 2018 ka referuar pranë Institucionit të Prokurorisë, strukturave të hetimit tatimor, Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, si dhe Policisë së Shtetit 315 subjekte, në të cilët janë përfshirë zyrtare të të gjitha kategorive dhe niveleve, si Deputetë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Kryetar Bashkie, Drejtore Drejtorie etj”, theksohet në raport.

Ndërkaq, ILDKPKI, thuajse ka dhjetëfishuar numrin e gjobave ndaj zyrtarëve me shkelje në deklaratat e pasurive.

“Për periudhën gati 11 vjeçare 2003 – 2013, Inspektorati i Lartë rezulton të ketë aplikuar në total 118 masa administrative dhe të ketë depozituar pranë organit të akuzës në total 57  kallëzime penale; ndërsa vetëm për pesë vitet e fundit për periudhën 2014 – 2018, Inspektorati i Larte rezulton të ketë aplikuar në total 1.672 masa administrative ndaj zyrtarëve, si dhe të ketë aplikuar 140 masa administrative me “gjobë” në kuadër të ligjit nr. 60/2016 “Për Sinjalizimin dhe Mbrojtjen e Sinjalizuesve “.

Në total për periudhën 2014-2018 rezulton të jenë aplikuar 1.812 masa administrative “gjobë” thekson raporti.