Grabitet banesa e gjinekologut, autorët i marrin miliona lekë

Paçka se qeveria ka ndryshuar dënimin për dhunën ndaj mjekëve, rastet nuk mungojnë. Një banesë ka rënë pre e grabitjes gjatë natës në Librazhd. Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr.1 të këtij qyteti, ndërsa banesa që u grabit është e mjekut gjinekolog, Kujtim Albrahimi.

Dyshohet se autorët nënë kërcënimin e një thike kanë hyrë në banesën e shtetasit Kujtim Albrahimi dhe kanë marrë një sasi prej 10-12 milion lekësh të vjetra si dhe disa bizhuteri. Në momentin e grabitjes në banesë kanë qënë vetë mjeku Albrahimi dhe bashkëshortja e tij. Të dy kanë mbetur të plagosur lehtë për shkak të dhunës së ushtruar nga grabitësit.

Ndërkohë policia dhe grupi hetimor kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të grabitjes.

Dhuna ndaj mjekëve, Manastirliu: 1-5 vite burg për dhunuesit

Pas konsultimeve të vazhdueshme prej më shumë se 2 muajsh me ekspertë, bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu prezantoi në një takim të gjerë me mjekë dhe profesionistë të shëndetësisë, ndryshimet në kodin penal, që ashpërsojnë masat në rastet e dhunës ndaj profesionistëve të shëndetit si dhe vendosin linjën e qartë ndarëse, mes atij që është gabim mjekësor dhe neglizhencë në mjekim. “Në Kod, do të parashikohet për herë të parë që dhuna ndaj profesionistëve të shëndetit është e dënueshme nga 1 deri në 5 vite lirie. Parashikohet një rëndim i dënimit për kanosjen e mjekut, duke shtuar një paragraf të ri në ligj që dyfishon dënimin për kanosjen e tyre. Shtohet gjithashtu një nen i ri, kundravajtje penale për “pengimin e ushtrimit të detyrës së profesionistit shëndetësor”, çka do të ofrojë një mbrojtje shtesë për të gjithë personelin mjekësor”, tha Manastirliu.