Baste përmes telefonit/ Goditen 4 raste në Lushnje e Fier. Kush janë të arrestuarit

Policia e Shtetit njofton se ka arrestuar në flagrancë 1 shtetas dhe 3 të tjerë i ka proceduar penalisht pasi ushtronin aktivitetin e kundraligjshëm të lojrave të fatit.

Në vijim të kontrolleve të befasishme në të gjithë Qarkun Fier për evidentimin dhe ndëshkimin e atyre personave që vijojnë ende të ushtrojnë aktivitetin e kundraligjshëm të lojrave të fatit, policia goditi 2 raste në qytetin e Lusnjes dhe 2 raste në Fier. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnje në bashkëpunim me Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, arrestuan në flagrancë shtetasin M.S, 23 vjeç, banues në Lushnje.

U sekuestruan në cilësinë e provave materiale 2 aparatura elektronike të lojrave të fatit, 6 valixhe të mbushura me çipsa, 1 tavolinë pokeri si edhe 150 euro të dyshuara të falsifikuara.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë për veprat penale “Falsifikim i monedhave”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagim i taksave dhe tatimeve”, “Organizimi i lotarive sportive dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojra të palejuara” pasi në ambientin e lokalit të marrë me qera prej tij, ushtronte aktivitetin e kundraligjshëm të lojrave të fatit” njofton Policia.

Po ashtu, në kuadër të këtyre kontrolleve, u procedua penalisht për veprat penale “Organizim i lotarive të pa lejuara” dhe “Vënia në dispozicion i lokaleve për lojra të pa lejuara” shtetasi G.Ç, 44 vjeç, banues në Lushnje.

Në lokalin në pronësi të këtij shtetasi u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 tavolina pokeri, 12 pako letra bixhozi, 3 njësi kompjuterike, 1 printer, 2 monitor, 2 tableta dhe 1 laptop të cilat shërbenin për ushtrimin e aktivitetit të kundraligjshëm të lojrave të fatit” vijon njoftimi.

Gjithashtu, u proceduan penalisht për “Fshehje të të ardhurave” dhe “Organizim të palejuar të lojrave të fatit” shtetasit V.Gj, 29 vjeç, banues në Fier dhe G.B, 29 vjeç, banues në Fier.

Procedimi ndaj këtyre shtetasve filloi pasi organizonin lotari të palejuara nëpërmjet telefonit.