Rama “tallet” me Haradinajn: Sa pa dalë Facebook, budallain e njihte vetëm shtëpia e vet

Kryeministri Edi Rama i ka dhënë një përgjigje thashethemeve e deklaratave të fundit të kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj për një plan mes tij, presidentit të Kosovës dhe Presidentit të Serbisë për copëtimin e Kosovës.

Rama ironizoi deklaratën e tij me shprehjet: “Budallain sa pa dalë Facebook e njihte vetëm shtëpia e vet” dhe e dyta “nëse do që gënjeshtrën tënde ta besojnë bëje të pabesueshme”.

“Për sa i përket komplotit për të copëtuar Kosovën dhe për të krijuar në mënyrë të fshehtë një hartë të re të botës, më kujton atë shprehjen që sa pa dalë Facebook-u, budallain e njihte vetëm shtëpia e vet. Sot jetojmë në një botë që nga kjo pikëpamje është fatkeqe.

Ajo porosia e një manuali të agjitacionit nazist që thoshte, nëse do që gënjeshtrën tënde ta besojnë, bëje të pabesueshme, është në përdorim të përditshëm për të goditur kundërshtarë, për të sulmuar njerëz, për të masakruar karaktere, personalitete, individë në të gjitha nivelet, duke përfituar pikërisht nga Facebook-u dhe nga mundësia për torolisur gjithë dynjanë me gënjeshtra të përmasave marramendëse dhe me budallallëqe të rrezikshme. Unë nuk dua të zgjatem më shumë në këtë pikë, por dua të them kaq në fund.

Nëse gjenden aq shumë budallenj sa të besojnë se një proces që përfshin shtete dhe jo dy shtete, por të gjitha shtetet e botës, që përfshijnë parlamente, që përfshijnë parti politike, që përfshijnë shoqëri, që përfshijnë votime referendare në fund, mund të bëhet fshehurazi nga disa persona dhe të kalojë në gjithë këtë proces që thashë si miu nën mustaqe, atëherë kjo botë ka marrë fund, por unë besoj që jo. Unë besoj që çdo njeri i arsyeshëm, çdo shqiptar me dy fije mend në kokë e kupton që kjo është e gjitha një gënjeshtër e bërë aq e pabesueshme, që pikërisht të mund të shitet e të blihet në territorin e marrëzisë online. Për më shumë, unë do të angazhohem dhe do të shpjegoj më tutje kur të më jepet mundësia, por me kaq sa thashë, besoj që mjafton për sot”, u shpreh Rama përkrah shefes së Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, të dy të akuzuar nga Kryeministri i Kosovës si pjesë e idesë për ndarjen e territorit mes Kosovës dhe Serbisë.