Ndryshimi i kufinjve, Islami: Projekti Rama-Thaçi-Vuçiç i dështuar, është skenar me pasoja të rrezikshme

Në një intervistë për ”Koha Jonë”, ish-ministri i Jashtëm, Kastriot Islami, u pyet edhe për çështjen e kufinjve Kosovë-Serbi dhe përfshirjen  e Kryeministri Edi Rama. Më konkretisht, ish-ministrit ju drejtua kjo pyetje: Presidenti i Serbisë, Vuçiç ka pranuar se ideja e tij për ndryshimet kufitare ka dështuar. Cila mund të jetë rruga, që mund ta sjellë Kosovën dhe Serbinë në një zgjidhje përfundimtare të pranueshme?

Islami thotë se dështimi i Vuçiç është njëkohësisht edhe dështimi i Thaçit dhe Ramës për të mundësuar krijimin e Serbisë së Madhe. ”Qasjet e ndryshimit të kufijve apo shkëmbimit të territoreve mbi baza etnike, para të cilave fshihen synimet e shteteve të mëdha të pastra etnikisht janë shumë të rrezkishme për stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit, prandaj ato nuk do të mund të pranohen nga vendet serioze e të përgjegjshme të BE dhe për rrjedhojë nuk do të përbëjnë në asnjë rast zgjidhje të pranueshme”. Për të, demokratizimi dhe Integrimin Europian i Serbisë dhe Kosovës është e vetmja rrugë që do të siguronte e garantonte zgjidhjen e pranueshme.

Përgjigja e plotë

Së pari kjo deklaratë përbën pohimin më të saktë se projekti Rama-Thaci-Vuçiç është me prejardhje ngë Serbia dhe Rama e Thaçi ka qenë të angazhuar maksimalisht për realizimin e tij në mbështetje të Vuçiç, pra për ndarjen e Kosovës apo thënë ndryshe për krijimin e Serbisë së Madhe. Dështimi i Vuçiç është njëkohësisht edhe dështimi i Thaçit dhe Ramës. Po ashtu mund të thuhet se projekti i ndarjes së Kosovës, për të mundësuar krijimin e Serbisë së Madhe dështoi. Natyrisht një rol të rëndësishëm për të diskretituar këtë projekt famkeqe e të rrezikshëm jo vetëm për Kosovën e Shqipërinë por edhe për stabilitetin e të gjithë rajonit e më gjërë, kanë kancelarja Merkel dhe të gjithë forcat e politikanët konstruktivë të vendeve të BE-së, që prej 30 vjetësh kanë qënë të angazhuar për stabilitetin, sigurinë dhe integrimin në NATO e BE të vëndeve të BP. Edhe të gjithë politikanët e ndershëm e kuroajozë në Kosovë e Shqipëri që ju kundërvunë këtij skenari me pasoja shumë të rrezikshme.

Projekti i dështuar Rama-Thaçi-Vuçiç ishte e vetmja rrugë që nuk duhej ndjekur. Të gjithë rrugët e tjera, të vendosura në kontekstin e Integrimit Europian e euroatllantik dhe sigurimit të integritetit e sovranitetit të vëndve të BP, do të çonin në zgjidhjen përfundimtare të pranueshme edhe për Serbinë e Kosovën. Qasjet e ndryshimit të kufijve apo shkëmbimit të territoreve mbi baza etnike, para të cilave fshihen synimet e shteteve të mëdha të pastra etnikisht janë shumë të rrezkishme për stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit, prandaj ato nuk do të mund të pranohen nga vëndet serioze e të përgjegjshme të BE dhe për rrjedhojë nuk do të përbëjnë në asnjë rast zgjidhje të pranueshme. Aq më tepër që kjo zgjidhje me origjinë nga Serbia dhe e mbështetur për interesa të pushtetit personal nga Rama, Thaçi dhe Vuçiç është kuptuar nga vëndet kryesore të BE-së si një lojë personale e drejtuesve të korruptuar dhe autoritarë të Serbisë, Kosovës e Shqipërisë me synim mbajtjen pafundësisht të pushtetit.

Demokratizimi dhe Integrimin Europian i Serbisë dhe Kosovës është e vetmja rrugë që do të siguronte e garantonte zgjidhjen e pranueshme. Vështirësitë e momentit që lidhen me devijimin e Serbisë e Kosovës nga rruga e demokratizimit dhe Integrimit Europian për shkak të drejtimit të këtyre vendeve nga drejtues autoritarë, të korruptuar e të inkriminuar, nuk përbëjnë shkak për të justifikuar qasjen e tipit Rama-Thaçi-Vuçiç për ndryshimin e kufijvë të Kosovës e coptimin e saj për të krijuar Serbinë e Madhe me argumentin se kjo është zgjidhja më e pranueshme që do të siguronte stabilitet, qetësi e siguri.