Libri dhe teknologjia … askush nuk e di fundin

Libri është zhytur poshtë në thellësitë e deteve, qëkur e fundosi teknologjia. Që atëherë teknologjia ka qenë në krye dhe asgjë nuk mund ta ndalonte, por në zemrat e njerëzve asnjëherë shpirti i të lexuarit të librit kurrë nuk do të shuhej, të paktën jo i gjithi, prandaj librit i mbetej edhe një fije shprese, që të rrëzonte nga froni teknologjinë dhe të shpëtonte mbretërinë e tij.

Libri ishte i shkatërruar, ndaj ai priste kalorësit që ta shpëtonin nga ai makth, që po përjetonte. Kalorësit, që kishin për detyrë ta mbronin librin ishin shkronjat, të cilat ishin përgatitur shumë, për të mbrojtur mbretin e tyre nga teknologjia.

Në krye ishte A-ja, e cila drejtonte ushtrinë. Ajo e dinte mirë rrugën për tek teknologjia. Shkronjat u nisën dhe për pak arritën në mbretërinë e librit ose le të themi në mbretërinë e teknologjisë. Shkronjat arritën ta shpëtojnë librin, por nuk arritën dot të mposhtin teknologjinë për shkak të ushtrisë gjigande dhe shumë të fortë të saj. Ato u arratisën.

Libri kishte nevojë për ndihmë, pasi nuk kishte më fuqi të vazhdonte përpara. Ai kishte nevojë për dikë, i cili nuk ishte prekur nga magjia e teknologjisë. Libri  e dinte mirë se kush ishte ky njeri. Në një fshat pranë mbretërisë jetonte një magjistar plak, i cili nuk e lëshonte librin nga dora. Libri i kërkoi ndihmë atij. Magjistari i tha se do të bënte gjithçka për mbretin e tij. Ai dinte shumë magji. Ata u nisën, për të shpëtuar mbretërinë. U futën në mbretëri duke u fshehur dhe më pas arritën në pallatin mbretëror. Atje kishte shumë roje, por me anë të magjistarit dhe ushtrisë libri u fut brenda.

Kur libri u fut në pallat, ai shkoi në dhomën e fronit dhe u gjend përpara teknologjisë. Teknologjia e kuptoi se libri kishte ardhur për ta mposhtur, prandaj ai donte ta hiqte qafe menjëherë.

Libri ishte i dobët, në krahasim me teknologjinë, por ai ishte më i ditur,kështuqë nuk mposhtej lehtë. Dhe ndeshja vazhdonte të zgjatej… Për një moment dukej sikur teknologjia po fitonte ndërsa në një moment tjetër dukej sikur libri po fitonte.

Askush nuk po mposhtej, por për një moment u duk sikur teknologjia dhe libri, ata, të dy ata, ata…

Dhe askush nuk e di fundin. Në fakt të gjithë ne e kemi në dorë fundin e kësaj historie, e kemi ne për detyrë t’i shkruajmë faqet e fundit të kësaj historie, sepse jemi ne ata, që duhet të zgjedhim se çfarë është e mirë dhe e keqe për ne, sepse jemi ne ata, që duhet të zgjedhim mes librit dhe teknologjisë, sepse jemi ne ata që duhet t’i dalim për zot vetes dhe të mendojmë gjithmonë, për të mirën tonë.

Kjo ese është bërë për librin, por nëse mbyllim sytë, për një moment dhe imagjinojmë sikur kjo përrallë të ishte e vërtetë, mesazhi që na jep kjo histori do të na duhej në ato momente. Përveç se të bën mirë dhe është argëtuese të lexosh, rëndësia e vërtetë e librit është për mesazhet që na jep.

Unë do të ndihmoja librin dhe as që e vë në dyshim këtë. Po ti…..?

Shenim: (Kjo eshte nje ese e nxeneses se klases se V, shkolla “Kosova” Iva Sinakoli)

/Ora News