Islami: Rama provokon opozitën, fundin e ka si homologët autoritarë. Në Berlin mori shuplakë

Intervistë për “Koha Jonë”, ish-deputeti i PD-së, Kastriot Islami:  Rama me opozitën fasadë po vret pluralizmin, në Berlin mori shuplakë

Intervistoi: Redjon Shtylla

“Takimi i Berlinit, pavarësisht se Rama përpiqet të fshehë kokën si struci, ishte një shuplakë e rëndë për qeverinë e tij dhe atë personalisht, në vijim të takimit të qershorit 2018 duke i lënë të kuptohet se nuk do të ketë hapje të negociatave me Ramën”. Kështu shprehet ish-deputeti i PD-së, Kastriot Islami, në një intervistë për “Koha Jonë”. Ai thotë se sjellja anti-europiane e kryeministrit Rama e ka vulosur qëndrimin e vendeve kryesore të BE-së ndaj Shqipërisë, edhe përsa i përket hapjes së negociatave me BE-në, derisa Rama të jetë kryeministër i Shqipërisë. I pyetur për “kërcënimet” e Ramës se do të shkojë në zgjedhje pa opozitën dhe fjalën burg për ata që pengojnë zgjedhjet lokale, Islami thekson se Rama është i frikësuar nga lëvizjet e opozitës. Për të, nëse Rama nuk do të tërhiqet, vendi shkon në përplasje sociale. “Nëse Rama nuk do të tërhiqet nga marrëzia e projektit diabolic të “vrasjes” së pluralizimit, atëherë opozita ka deklaruar se do të bëhet barikadë ndaj këtij akti barbar dhe me pasoja për shqiptarët, të cilët vetëm 28 vjet më parë u ngritën fuqimisht për të vendosur pluralizmin”.

Jehona e një Samiti si ai në Berlin, ku për qeverinë nuk ishte takim që lidhet me zgjerimin e BE-së që do të kishte diçka për hapjen e negociatave, kurse për opozitën munguan dritat jeshile për Shqipërinë. Si ish-ministër i Punëve të Jashtme, në dijeninë tuaj, çfarë fitoi e çfarë humbi Shqipëria në Berlin?

Shqipëria prej 6 vitesh po ecën në drejtimin e gabuar antieuropian, pavarësisht demagogjisë dhe mashtrimeve që përdor Rama për të treguar pa sukses të kundërtën. Arsyeja është kapja e shtetit nga qeveria Rama; këtë prej kohësh e dinë shqiptarët por edhe kancelaritë kryesore vendimmarrëse europianë. Vitin e kaluar, konkretisht në qershor 2018, qeverisë shqiptare ju dha nga Gjermania, Franca dhe Hollanda mesazhi i qartë: Nuk do të happen negociatat sepse Shqipëria për shkak të lidhjeve të qeverisë me korrupsionin, krimin dhe trafiqet si dhe numrit shumë të madh të azilkërkuesve shqiptarë në vëndet e BE rezultonte sipas raporteve të tyre të brendshme, se nuk i kishte plotësuar kushtet minimale për të hapur negociatat. Ndërkohë raportit të Komisionit Europian të hartuar dhe promovuar nga treshja Mogherini-Hahn-Fleckestein, iu dha një shuplakë e rëndë nga Gjermania, Franca dhe Hollanda.

Në 2019, ish-drejtori i Komisionit Europian, Reinhard Priebe do të deklaronte se në të gjithë vëndet e Ballkanit Perrëndimor qeveritë e korruptuara dhe autoritare kanë kapur për fyti shtetin dhe ky është një fakt i njohur nga të gjithë kryeqytet e vëndeve të BE. Madje këto kryeqytete, jo vetëm e njohin shumë mirë situatën në vendet e BP por zotërojnë edhe një alternativë zgjidhjeje, e ngjashme me atë që u aplikua në Maqedoni për të larguar Gruevskin. Për momentin janë të angazhuar e të përqëndruar me zgjedhjet e Parlamentit Europian, edhe për shkak të humbjes së terrenit politik të forcave proeuropiane dhe rritjes së ndikimit të forcave të ekstremeve. Takimi i Berlinit, pavarësisht se Rama përpiqet të fshehë kokën si struci, ishte një shuplakë e rëndë për qeverinë e tij dhe atë përsonalisht, në vijim të takimit të qershorit 2018 duke i lënë të kuptohet se nuk do të ketë hapje të negociatave me Ramën.

Gjatë këtij viti është shtuar edhe një arsye tjetër që ka rënduar shumë qëndrimin ndaj qeverisë Rama dhe Ramës personalisht. Rama ka qënë i angazhuar intensivisht së bashku me Thaçin e Vuçiç për ndryshimin e kufijve në Ballkan, që përbën një “vijë të kuqe” apo një “thikë pas shpine” për BE, të shprehur qartas nga Gjermania dhe kancelarja e saj Merkel. Kjo sjellje anti-europiane e Ramës e ka vulosur qëndrimin e vendeve kryesore të BE-së ndaj Shqipërisë, edhe përsa i përket hapjes së negociatave me BE-në, derisa Rama të jetë kryeministër i Shqipërisë.

Presidenti i Serbisë, Vuçiç ka pranuar se ideja e tij për ndryshimet kufitare ka dështuar. Cila mund të jetë rruga, që mund ta sjellë Kosovën dhe Serbinë në një zgjidhje përfundimtare të pranueshme?

Së pari kjo deklaratë përbën pohimin më të saktë se projekti Rama-Thaci-Vuçiç është me prejardhje ngë Serbia dhe Rama e Thaçi ka qenë të angazhuar maksimalisht për realizimin e tij në mbështetje të Vuçiç, pra për ndarjen e Kosovës apo thënë ndryshe për krijimin e Serbisë së Madhe. Dështimi i Vuçiç është njëkohësisht edhe dështimi i Thaçit dhe Ramës. Po ashtu mund të thuhet se projekti i ndarjes së Kosovës, për të mundësuar krijimin e Serbisë së Madhe dështoi. Natyrisht një rol të rëndësishëm për të diskretituar këtë projekt famkeqe e të rrezikshëm jo vetëm për Kosovnë e Shqipërinë por edhe për stabilitetin e të gjithë rajonit e më gjërë kanë kancelarja Merkel dhe të gjithë forcat e politkanët konstruktivë të vendeve të BE-së që prej 30 vjetësh kanë qënë të angazhuar për stabilitetin, sigurinë dhe integrimin në NATO e BE të vëndeve të BP. Edhe të gjithë politikanët e ndershëm e kuroajozë në Kosovë e Shqipëri që ju kundërvunë këtij skenari me pasoja shumë të rrezikshme.

Projekti i dështuar Rama-Thaçi-Vuçiç ishte e vetmja rrugë që nuk duhej ndjekur. Të gjithë rrugët e tjera, të vendosura në kontekstin e Integrimit Europian e euroatllantik dhe sigurimit të integritetit e sovranitetit të vëndve të BP, do të çonin në zgjidhjen përfundimtare të pranueshme edhe për Serbinë e Kosovën. Qasjet e ndryshimit të kufijve apo shkëmbimit të territoreve mbi baza etnike, para të cilave fshihen synimet e shteteve të mëdha të pastra etnikisht janë shumë të rrezkishme për stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit, prandaj ato nuk do të mund të pranohen nga vëndet serioze e të përgjegjshme të BE dhe për rrjedhojë nuk do të përbëjnë në asnjë rast zgjidhje të pranueshme. Aq më tepër që kjo zgjidhje me origjinë nga Serbia dhe e mbështetur për interesa të pushtetit personal nga Rama, Thaçi dhe Vuçiç është kuptuar nga vëndet kryesore të BE-së si një lojë personale e drejtuesve të korruptuar dhe autoritarë të Serbisë, Kosovës e Shqipërisë me synim mbajtjen pafundësisht të pushtetit.

Demokratizimi dhe Integrimin Europian i Serbisë dhe Kosovës është e vetmja rrugë që do të siguronte e garantonte zgjidhjen e pranueshme. Vështirësitë e momentit që lidhen me devijimin e Serbisë e Kosovës nga rruga e demokratizimit dhe Integrimit Europian për shkak të drejtimit të këtyre vendeve nga drejtues autoritarë, të korruptuar e të inkriminuar, nuk përbëjnë shkak për të justifikuar qasjen e tipir Rama-Thaçi-Vuçiç për ndryshimin e kufijvë të Kosovës e coptimin e saj për të krijuar Serbinë e Madhe me argumentin se kjo është zgjidhja më e pranueshme që do të siguronte stabilitet, qetësi e siguri.

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një nga fjalimet më të egra kundër opozitës. Në gjithë qëndrimet e tij, fjala kryesore ishte “burg”. Rama kërcënoi me burg opozitën nëse ndalon procesin e zgjedhjeve më 30 qershor. Si e lexoni këtë qëndrim?

Kjo tregon se Rama është në panik, i pasigurtë, i friksuar deri në palcë nga lëvizjet e fundit të opozitës. Ulërimat për “burg” e bëjnë Ramës të ngjashëm me një hajudut frikacak të ecën natën në një pylle duke uluritur me zë të lartë për të larguar frikën që i ka kapur mendjen, trupin dhe gjymtyrët. Shumë shpejt do të vijë momenti kur Rama do të lëshohet e dorëzohet dhe do të fillojë të lëpihet.

“61 bashkitë do të fitohen nga PS-ja”. Kryeministri thotë se nuk do të pranojë qeveri tranzitore dhe se do shkojë vetëm në zgjedhje. Në këtë situatë aspak të qetë, ku presioni është rritur, si duhet ta izolojë opozita qeverinë “Rama 2” për të shkuar në zgjedhje të lira?

Rama po tenton të futet i vetëm në zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019. Ky do të ishte momenti i “vrasjes” përfundimtare të pluralizmit. Për të fshehur “thikën vrastare” dhe duart e gjakosura Rama po kërkon të maskojë këtë akt makabër duke sponsorizuar krijimin e një opozitë fasadë, i udhëhequr nga paranoja se të tilla zgjedhje fasadë do të pranoheshin nga shqiptarët dhe do të certifikoheshin nga ndërkombëtarët. Të gjithë partitë kryesore opozitare: PD, LSI, PR, PDIU, PBDNJ, PDK, LZHK e tjerë janë angazhuar seriozisht për të penguar “vrasjen” e pluralizmit, duke stigmatizuar si ideatorin, organizatorin dhe përgjegjësin kryesor të “vrasjes” së pluralizmit, vetëm Edi Ramën.

Sipas opozitës, për të shpëtuar pluralizmin ka vetëm një rrugë: Zgjedhje të parakohshme, të lira e të ndershme, me një qeveri tranzitore, pa Edi Ramën kryeministër. Duket një projekt shumë i vështirë por është i vetmi opsion për të ndalur dorën “vrastare” të pluralizmit. Nëse Rama nuk do të tërhiqet nga marrëzia e projektit diabolic të “vrasjes” së pluralizimit, atëherë opozita ka deklaruar se do të bëhet barikadë ndaj këtij akti barbar dhe me pasoja për shqiptarët, të cilët vetëm 28 vjet më parë u ngritën fuqimisht për të vendosur pluralizmin. Kjo natyrisht mund të çonte në përplasje sociale, përgjegjësinë dhe koston për të cilën do ta kishte vetëm Edi Rama, që do të përfundonte me shumë gjasa si të gjithë drejtuesit e tjerë autoritarë e të korruptuar.

Në platformën politike me 12 pika, aleatët e PD-së ndër të tjera kërkojnë tryezën politike nga Presidenti i Republikës Ilir Meta, e cila mori mbështje. A është momenti që kriza të zgjidhet pa patur nevojë për përshkallëzim të mëtejshëm dhe palët të ulet në tavolinë me Ramën si kryetar i PS-së?

Çdo nismë për ta zgjidhur krizën para se ajo të përshkallzohet e përkeqësohet, duhet përshëndetur dhe mbështetur. Unë nuk kam besim se Rama do të mbështeste rolin moderator të Presidentit Meta. Për më tepër që Rama është peng i oligarkëvë dhe kriminelëve dhe njëkohësisht drejtues i tyre, pra shumë nga vendimet për largimin e tij dhe hapjen e rrugës së zgjidhjes duhet të merren nga kupola e sektit të drejton vendin.

Për momentin Rama po përpiqet të bëjë të “fortin” duke provokuar opozitën që ajo të futet një një axhendë radikale, ndërkohë që opozita me maturi e qetësi po vepron energjikisht por saktësisht duke detyruar Ramën të humbasë qetësinë dhe sigurinë dhe të tregojë dobësinë e  brendshme që e mundon dhe po e rrënon gradualisht. Shenja e qartë e saktësisë së veprimeve të opozitës dhe degradimit që mbështetjes për Ramën është sondazhi i fundit i IPR marketin në “Ora News”, i cili tregon se opozita do të mund të fitonte 55 përqind të votave ndërkohë që Rama së bashku me të gjithë aleatët e tij nuk do të mund të kalonin 45 përqind. Pra përmes kësaj strategjia opozita aktuale është shndërruar në maxhorancë prej 55 përqindësh kurse maxhoranca në opozitë prej 45 përqindësh.

Veprimet e vendosura, energjike dhe të matura të opozitës më ditët e javët në vijim do të vazhdojnë të rrënojnë Rilindjen dhe me shumë gjasa do të vazhdojnë të rrisin opozitën aktuale dhe të tkurrin Rilindjen. Nëse para disa muajsh cilindo që të pyetjes për Ramën të thoshte se “ai është i mbaruar por nuk largohet”, tani të gjithë pë përjashtim përgjigjen se “ai nuk qëndron dot më…”.

10 detyra për zgjedhje të lira, prezantoi PD-ja për qeverinë tranzitore që sipas z.Basha nuk kanë nevojë për ndërhyrje të theksuar ligjore. Ju si e keni lexuar, do të garantojnë zgjedhje të lira dhe pa ta kontestueshme?

Opozita e bashkuar para disa ditësh paraqiti një platformë me 10 detyra për zgjedhje të lira e të ndershme. Mendoj se ai ishte një dokument thjesht për të ngulitur në mëndjen e qytetarëve faktin se zgjidhja e krizës mund të kryhet vetëm përmes një qeverie tranzitore pa Ramën kryeministër. Ishte po ashtu më shumë një draft-dokument për të hapur një diskutim politik-qytetar. Dokumenti nuk ishte dhe nuk mund të ishte një dokument strategjik për zgjidhjen e krizës siç mund të pritej nga shumë analistë apo vëzhgues politikë. Sepse të tilla strategji që mund të kenë grupimet/partitë politike do të merrnin formë të plotë vetëm pasi të kishte negocim mes palëve; gjë që mund të ndodhë vetëm pasi Rama të ketë dhënë dorëheqjne apo thënë ndryshe kur Rama do ti hapte rrugën negociatave për zgjidhjen me largimin e tij nga drejtimi i qeverisë. Platforma ndoshta mund të konsiderohej vetëm një pjesë e kësaj strategjie; ajo pjesë që do të bënte fjalë vetëm për detyrat e qeverisë teknike bazuar në legjislacionin ekzistues. Ndërkohë që për të shkuar deri te zgjedhjet e lira e të ndershme, do të duheshin edhe shumë hapa të tjera, që mesa kuptova nga pjesëmarrja në diskutim, opozita i ka të qarta dhe për më tepër ka përgatitur edhe draftet duke e gatshme të negociojë e diskutojë me palën tjetër.

11 maji po vjen. Thirrjet për destabilizim nuk mungojnë prej kohësh. Për ju, çfarë pritet të ndodh më 11 maj? Nga ana tjetër, PD-ja është shprehur se Ramës do t’i pamundësohet dalja nga shtëpia.

Nuk kam asnjë informacion me taktikat e këtij eventi. Shpresoj shumë që Rama të jetë ndërgjegjësuar dhe të ketë kuptuar se po mban peng të ardhmen europiane të vendit dhe përgjegjësinë për të shmangur përplasjen civile. Rama nuk po qeveris prej 6 vitesh dhe prej më se dy vjetësh është i kapur mat nga korrupsioni, krimi e trafiqet. Ai nuk qëndron dot më në zyrë dhe sorrollatet nga një qëndër qyteti në tjetrën sepse e ka të pamundur të qëndrojë i ulur e të drejtojë nga karrikja e kryeministrit. Ai sorrollatet nëpër botë vetëm si “hajdut” fotosh dhe shtërngime duarsh.

Ai rri gjatë të gjithë kohës duke gënjyer e mashtruar sa që të gjithë e konsiderojnë “pinoku” shqiptar. Ai nuk e koordinon dot më as aktivitet e ministrave që janë të çoroditur dhe nuk dinë se çfarë të bëjnë dhe nuk dinë të thonë kur i pyesin se çfarë po ndodh dhe çfarë do të mund të ndodhë. Askush nuk drejton a nuk qeveris por të gjithë sorrollatet pa bërë asgje apo vjedhin gjithçka munden sikur të ishte dita e fundit e qeverisjes; dhe kjo ndodh pothuajse kudo në administratën publike.

Fundi i tmerrshëm i Ramës do të varej shumë nga dy elementë, i) nga zvarritja hileqare për të fituar kohë dhe ii) agresiviteti i policisë e nga arroganca e cinizmi i tij. Duket se fundi i tij është tashmë është i qartë për të gjithë qytetarët e revoltuar në ekstrem të cilët opozita po përpiqet ti përmbajë të mos shpërthejnë dhe të mos dalin jasht kontrollit.

Si e komentoni nxitjen dhe thirrjen që Ambasada Amerikane dha për cilindo kandidat, që të regjistrohen në zgjedhjet lokale? E cilësoni ndërhyrje në punët e Brendshme të Shqipërisë dhe a po mbështet kauza e opozitës nga ndërkombëtarët?

Si ish-Ministër i Jashtëm nuk më lejohet të komentoj në publik qëndrimet konkrete të partnerëvë ndërkomëbtarë. Por askush nuk ka përse të habitet e çuditet që Rama, nisur nga veprimet e drejtuesve të tjerë të korruptuar e autoritarë, (siç mund të evokoj rastin e Diplomacisë së Kavjarit po përdor paratë e korrupsionit dhe të trafiqeve për të paguar majmërisht lobistë apo zyrtarë të lartë e deri përfaqsues të vendeve të të rëndësishme që shkruajnë raporte për Shqipërinë për të maskuar dështimet e tij dhe krijuar përshtypjen se qeverisja e tij është e suksesshme.

Vetëm dy raste duhen patur parasysh, zbulimesh që nuk vijnë nga brenda Shqipërisë dhe nuk mund të lidhen me vlerësimet e qëndrimet e opozitës shqiptare, të kundërshtarëve të Ramës apo te medias së “kazanit” shqiptar. Së pari, Gjermania, Franca dhe Hollanda vitin e kaluar ishin kundër hapjes së negociatave të Shqipërisë me BE-në, ndërkohë që në Raportin e Progresit për Shqipërinë në vitin 2018 sygjerohej në përfundim të tij se “negociatat duhet të hapen menjëherë dhe pa kushte”. Këtë Raport të promovuar intenisivisht nga Rama, Mogherini, Hahn dhe Fleckenstein në një farë mënyre mund të thuhet se e “grisën” Gjermania, Franca dhe Hollanda.

Së dyti, dy herë 6 senatorë repblikanë amerikanë i kanë dërguar një paketë informacionesh Ministrave të Jashtëm të SHBA, Tillerson dhe Pompeo, duke i treguar me”fakte e prova” se “paratë e taksapaguesve amerikanë” janë keqpëdorur për të sjellë në pushte Edi Ramën dhe për ti mundësuar atij të vendosë nën kontroll sistemin e drejtësisë përmes reformës në drejtësi. Përsëris se këto dy momente që i janë servirur publikut shqiptar nga institucione serioze të vendeve partnere nuk janë sajesa apo “fake news” të “kazanit” shqiptar siç përpiqet ti paraqesë Edi Rama por janë materiale që rezonojnë fuqimisht me çfarë mendojnë shumica e qytetarëve shqiptarë.