Festa e luleve në Shkodër, atmosferë festive për dy ditë me rradhë në qytetin verior

Shkodranët, ashtu si çdo vit kanë festuar ditën e luleve, nën një atmosferë të gëzueshme. Konkurse, ekspozita u organizuan në të gjithë qytetin verior duke sjellë dy ditë ndryshe për qytetarët.

Lulet shumëngjyrëshe, atmosfera festive dhe gëzimi i fëmijëve veshi për dy ditë me radhë rrugët e Shkodrës.

Festa e luleve i bashkoi të gjitha moshat në pedonalen e qytetit dhe kalanë “Rozafa”, aty ku nuk munguan konkurset e poezisë, fotografisë, biçikleta e zbukuruar më bukur etj.

Konkursi u përjetua si një moment gëzimi dhe jo siç rëndom jemi mësuar të shohim gara të ndryshme.

Për qytetin kjo mbetet festa më e rëndësishme, aq më shumë kur tradita e hershme na tregon për bahçet e bukura plot lule dhe ngjyra, që ende edhe sot ruhen dhe trashëgohen në shumë familje shkodrane.

Shkodra është pagëzuar ndryshe qyteti i luleve, e për to janë thurur dhjetra poezi e plot 150 këngë i këndohen lules së Majit, luleborës, karajfilave që ka Shkodra etj.