BERZH përmend krizën politike: Është rrezik për ekonominë, bashkë me PPP

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ndërkohë, ndryshe nga Komisioni Europian, i ka mbajtur të pandryshuar projeksionet për rritjen ekonomike, në 3.9%, si për këtë vit, ashtu edhe për atë të ardhshëm.

Projeksionet dhe vlerësimet më të fundit për ekonomitë e vendeve që mbulon banka janë publikuar gjatë takimit vjetor që po zhvillohet aktualisht në Sarajevë. “Në 2019 dhe 2020 ekonomia shqiptare pritet që të zgjerohet me 3.9%, në të dyja vitet, një hap lehtë më i ngadaltë se në vitin 2018, me rritjen që nxitet kryesisht nga konsumi privat”-thotë Berzh. “Gjithsesi, rreziqet për ekonominë mbeten, lidhur kryesisht me ngadalësimin e partnerëve kryesorë ekonomik të vendit, Eurozona, si dhe rreziqet e brendshme”, vijon Berzh.

Ndër to, Banka përmend edhe krizën politike që  ka përfshirë vendin tonë, duke i`u bashkuar kështu listës së institucioneve që paralajmërojnë për impaktin që kriza mund të ketë në ekonominë e vendit. Borxhi i lartë publik me detyrimet e prapambetura që rrjedhin nga skemat e Partneritetit Publik Privat është rreziku tjetër i brendshëm që përmend BERZH, veç krizës politike.

Madje, sipas Berzh, skemat e PPP janë kontroverse. Sa i përket dëmit që vjen nga partnerët tregtarë, BERZH, ashtu si Komisioni Europian, i bashkohet institucioneve të tjera, si Moody`s, që ngrenë këtë shqetësim.