Ligji i ri/ Unifikohet legjislacioni, “barazohet” mbrojtja për investitorët shqiptarë dhe ata të huaj

Qeveria shqiptare ka përgatitur një projektligj të ri për investimet, duke unifikuar legjislacionin ekzistues. Miratimi i projektligjit “Për investimet” vlerësohet në relacion se ka lindur si domosdoshmëri, pasi legjislacioni në fuqi në Republikën e Shqipërisë i jepte një mbrojtje shtesë investimeve të huaja, por jo atyre vendase, ndërkohë që një korpus i ri ligjor më vete ishte krijuar për investimet strategjike.

Në këto kushte u mendua që hartimi i një ligji të unifikuar të investimeve që mbron njësoj si investimet vendase, por dhe ato të huaja, duke u përshkuar i gjithë ligji nga parimet e transparencës, barazisë dhe të trajtimit pa diskriminim të investitorëve do të rriste garancinë e investitorëve” shkruhet në relacion.

Risi në projektligj përbën trajtimi i një mekanizmi të shpejtë brenda pushtetit ekzekutiv për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që i lindin një investitori me institucionet shtetërore, duke u përpjekur kësisoj të evitohen kostot e shtuara gjyqësore apo të tjera.

Hartimi këtij projektakti është kryer nga grupi i punës i ngritur nga Ministri i Financave dhe Ekonomisë dhe në përbërje të këtij grupi ka patur punonjës të ministrisë dhe të AIDA-s. Grupi i punës që nga krijimi i tij e deri në hartimin e projektit përfundimtar është mbështetur me ekspertizë të ofruar nga BB/ IFC.

Ligji i ri është parashikuar të hyjë në fuqi duke nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm.