Asnjë reagim nga shteti, shkon në 113 numri i personave të helmuar në Bulqizë nga uji i pijshëm

Një situatë alarmante është krijuar në Bulqizë ku çdo ditë rritet numri i personave të shtruar në spital, pasi janë helmuar nga uji i pijshëm. Kështu pretendohet pasi ende nuk kanë dalë rezultatet e analizave të ujit të pijshëm që janë dërguar në laboratorin e Tiranës.

Çdo ditë vazhdon të rritet numri i personave të helmuar nga uji i pijshëm e që kërkojnë ndihmë në spital. 113 ka shkuar sot numri i personave të helmuar, por që ende shteti dhe institucionet përkatëse nuk kanë dalë në një reagim zyrtar.

Ditën e djeshme ka qenë Instituti i Shëndetit Publik që doli në një deklaratë për mediat ku u shpreh se numri i personave të helmuar ka rënë ndjeshëm, kur ndërkohë rezulton e kundërta.

Pavarësisht se situata është alarmante, derimë tani asnjë person nuk është vënë përpara drejtësisë. Mjeku Ramazan Ceni është shprehur se shkak është bërë uji, ndërsa fluksi vazhdon.

Ka raste që është paraqitur e gjithë familja në spital me simptomat e helmimit, me të vjella dhe dhembje barku. Ndërsa mjeku Shahin Kaja, veç ujit të pijshëm thotë se mund të jetë edhe furrë buke, apo keqberës të tjerë, shkaqet për këtë helmim masiv.

E ndërkohë që situata ka më shumë se 3 ditë që vazhdon të jetë alarmante, përgjigjet e analizave ende nuk kanë dalë.