Shkon në 113 numri i të helmuarve në Bulqizë, mjeku: Shqetësuese

Ka shkuar në 113 numri i personave të helmuar nga uji i pijshëm në lagjen “Qyteti i vjetër” në Bulqizë. Mes personave që kanë shfaqur simptoma helmimi ka edhe shumë fëmijë. Banorët thonë se linja e ujësjellësit është e amortizuar dhe mund të jetë ndotur nga miniera.

Ekspertët kanë marrë mostra të ujit që janë sjellë në Tiranë për analiza, ndërsa banorët janë urdhëruar të mos e përdorin ujin që u shkon në cezma. Banorët e Bulqizës mbeten në alarm, ndërsa numri i qytetarëve që shfaqin shqetësime vijon të rritet.

Mjeku Ramazan Ceni thotë se situata vijon të jetë shqetësuese, pasi vetëm sot janë paraqitur 6 rastë të rjea, 2 fëmijë dhe 4 të rritur. Ndërsa mjeku Shahin Kaja, veç ujit të pijshëm thotë se mund të jetë shkaktare edhe ndonjë furrë buke, apo keqbërës.

Një prej pacientëve në spital thotë se ata janë prekur të gjithë si familje nga helmimi. “Nuk e dimë çfarë kemi. Dyshojmë se nga uji ka ardhur”,-thotë kryefamiljari.

Epidemiologia e ISHP në këtë qytet, Rovena Daja tha sot në një prononcim për mediat se epidemia në Bulqizë mund të jetë shkaktuar nga uji. Daja nënvizoi se numri i rasteve në spital është ulur, ndërsa shtoi se nuk ka pasur raste të rënda.

”Kemi pasur 82 raste të personave të shtruar në Spitalin e Bulqizës dhe atë të Peshkopisë. Këtë epidemi mund ta ketë shkaktuar uji. Është bërë kërkesë zyrtare te ISHP dhe nesër do të jemi përgjigje zyrtare se kush e ka shkaktuar helmimin e banorëve në Bulqizë. Kemi udhëzuar për momentin që uji mos të konsumohet. Lagjia e vjetër në Bulqizë konsumon kryesisht ujin e rrjetit”, deklaroi Rovena Daja, epidemiologe pranë ISHP.