Vrasja e deputetit Xhindi, rrëfehet i biri: Çfarë gjetëm pranë banesës. Pengu i babait, amanet për ne

10 vite nga vrasja e deputetit të PS, Fatmir Xhindi, djali i tij Anduel Xhindi, tashmë deputet në Kuvendin e Shqipërisë, rrëfen për herë parë ndjesitë e mbrëmjes së 2 majit 2009. Në intervistën e tij të parë mbi këtë ngjarje, në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24, djali i tij tregon minutat e fundit me të atin, dhe se si mori vesh lajmin se babai i tij, nuk jeton më.

Kthyer në ngjarjen e rëndë të 10 viteve më parë, e cila i mori jetën babait të tij, Xhindi rrëfen edhe pengun e babait të tij, të cilin sot ata e ruajnë me fanatizëm si amanetit e tij të fundit.

Sot ju jeni deputet i Kuvendit, ju çfarë përgjegjësie ndjeni sot ndaj babait tuaj, por edhe gjithë dashamirësve të tij?

Përveç se është nder dhe privilegj që unë përfaqësoj zonën e Roskovecit në parlamentin shqiptar dhe kam zëvendësuar tim atë, e shoh edhe si një detyrim të vazhdoj edhe ëndërr, ëndrrën që kishte im atë për zonën e Roskovecit, dhe sinqerisht e them këtë me bindje të plotë që jam krenar që kam të bëj me ata njerëz të mirë, punëtorë e të ndershëm, siç janë ata banorë të asaj zone aty. E thash dhe e rithem, e kam detyrim t’i përgjigjem asaj zonë, ashtu si im atë do t’i përgjigjej nëse do ishte vetë gjallë, sot e kësaj dite.

Je shpesh në kontakt me ta? 
Unë shkoj çdo fundjavë në Roskovec, jetoj aty bashkë me ta. Mundohem t’i përgjigjem me sa mundësi kam problemeve që ka ajo zonë.

Si e mësuat lajmin që do bëheshit deputet?
Me ka marrë zysh Ermelinda, ajo ka qenë e para që më ka kontaktuar, pasi kam hyrë pasi dha dorëheqjen Ermelinda Meksi si deputete e qarkut Fier, dhe më erdhi radha për t’u futur unë dhe ka qenë ajo që më ka lajmëruar vetë.

E pritët me emocion me frikë me përgjegjësi, se do ishte diçka ndryshe për ju?
Patjetër ka qenë një miks ndjesish, kanë qenë të gjitha bashkë në atë moment.

Si ndiheni si deputet i Kuvendit me këtë situatë politike që është tani z.Xhindi?
Çfarë ka situata politike tani?

Jemi në krizë politike, nuk mund ta fshehim
Së pari kjo është një krizë artificiale e krijuar nga opozita e vendit, është një krizë e pabazuar gjëkundi. Në gjykimin tim nuk ka asnjë lloj problemi, ne jemi mandatuar në 2017 për 4 vite dhe normalisht vazhdojmë rrugën tonë deri në 2021.
Protestat e opozitës si i shihni?

Protesta është e drejtë legjitime e çdo individi dhe force politike.
Tregojnë dhe pakënaqësi..

Ku duken pakënaqësitë?

Te pjesëmarrja..
Pjesëmarrja? Në cilin qark të vendit keni parë aq shumë pjesëmarrje sa të diskutohen pakënaqësitë e njerëzve.

Pra, në kuvend çdo gjë ecën normalisht, edhe më ata deputetë që kanë pranuar mandatin?
Nuk them që çdo gjë ecën normalisht, nuk është mirë që situata politike është këtu. Por kemi një kushtetutë e do vijojmë sipas të drejtave që na jep Kushtetuta jonë të çojmë përpara rrugën që na ka dhënë elektorati jonë. Ne jemi mandatuar për 4 vjet, edhe ne kemi kontestuar gjatë kohës në opozitë, jemi vrarë në 21 janar, ka patur shumë arsye për të protestuar, por nuk kemi hequr dorë nga mandati i deputetit.

A shihni pakënaqësi në Roskovec?
Patjetër që ka pakënaqësira, kur je në pushtet pavarësisht sa mirë mund të punosh, pushteti të konsumon, ka pakënaqësira po nuk janë në atë masë sa i bën opozita sot.

Ju jeni i bindur që do të ketë zgjedhje në 30 qershor?
Patjetër e s’ka arsye pse të mos zhvillohet normalisht procesi. Kemi miratuar një kod penal që kushdo pengon procesin do ndëshkohet .

E nisa këtë intervistë me babain tuaj e me të do e mbyll. A ka patur ndonjë peng në dijeninë tuaj, që do donit ta çonit përpara, diçka që s’mundi ta realizonte?
Im atë u nda padrejtësisht nga jeta që edhe ai vetë nuk e priste. Por unë mbaj mend një fjalë që im atë na e thoshte herë pas herë e na e përsëriste. Ka qenë një shprehje që na e thoshte gjithnjë e na e përsëriste: ‘mundohu të bësh vetëm të mira në këtë mira në këtë jetë, nuk ka rëndësi së çfarë nuk ka rëndësi se kujt, thjesht bëje nëse mundesh. Dhe ne na ka ngelur si amanet apo si një peng që im atë do të donte që na ta vazhdonim më tej. Na e përsëriste vazhdimisht e na ka ngelur në një farë mënyre si një amanet prej tij.

Çfarë kujtoni nga ajo natë?
Ka qenë nata më e vështirë e jetës sime. Gjatë gjithë ditës, kam qenë së bashku më tim atë, kemi përcjellë vëllain që studionte në Rumani, pastaj jemi kthyer në Roskovec. Im atë e ka patur shumë pasion të punonte në fshatin e lindjes, dhe ka vajtur në Kurjan, ku kishim një ullishte dhe rreth orës 20:45 është kthyer në shtëpi dhe kemi marrë vesh lajmin e vrasjes së tij.

Ju qëndruat gjatë gjithë kohës. A e shihnit se ndjente diçka? 
Jo, nuk ka patur asnjë problemi asnjë lloj shqetësimi. Edhe ditët e mëparshme. Nëse do kishte ndonjë problem a shqetësim nuk do shkonte vetëm, se ai shkonte vetëm në tokën.

A ndjente frikë, apo të kishte marrë ndonjë telefonatë? 
Jo, absolutisht. Nuk ka patur asnjë lloj shqetësimi, me përjashtim të këtyre problemeve të punës, të zgjedhjeve, se ka qenë periudha para se të niste fushata zgjedhore asokohe. Nëse do kishte ndonjë shqetësim, ndoshta s’mund të ma kishte thënë mua, po nuk do shkonte në fshat vetëm. Mund të merrte shoferin edhe çdokënd aty nëse do ndjente diçka.

Çfarë marrëdhënie kishit bashkë? 
Im at është munduar që angazhimet politike t’i linte jashtë, mos t’i bënte bashkë dhe mundohej gjithë kohës të gjente mënyrën për t’iu përkushtuar familjes. Ne të tre kemi qenë shumë të lidhur me babain, kemi patur më shumë atë marrëdhënien si shok se sa marrëdhënien prindër fëmijë.

Si e morët vesh lajmin, që babai juaj ndërroi jetë, i ndodhi një ngjarje e rëndë? Me kë ishit në ato momente?
Kam qenë me disa të afërm të mi në Roskovec, kishim dalë për kafe. Ndërkohë na mori imë më në telefon dhe na tha se kanë vrarë Fatmirin. Kishte menduar në fillim mos ishin fishekzjarrë se aty luanin edhe disa fëmijë.

Pra, kishte dëgjuar gjithçka?
Po, e kishte dëgjuar. S’ja merrte mëndja kujt që mund të ndodhte ajo gjë te Fatmiri dhe në pragun e shtëpisë.

Kush ishte personi i parë që iu afrua?
Personi i parë ka qenë xhaxhai im i madhi. Jemi një familje shumë e lidhur dhe jemi thuajse të gjithë aty afër e çdo darkë mblidheshim te gjyshja. Xhaxhai i madh ka qenë duke ardhur për te shtëpia dhe ka parë tim atë të shtrirë përtokë.

Sa kishit pa komunikuar në telefon? 
3-4 orë. Ishte vetëm kjo shkëputja nga Roskoveci në Kurjan, ai kishte pirë edhe një kafe në një lokal, e bënte përherë, mblidhej me shokët në fshat më pas ndodhi kjo.

Kur ndodhi ngjarja, cfarë menduat fillimisht, pse ndodhi?
Personalisht e vetmja gjë që më shkonte në mëndje ishte se mund të kishte patur një debat të momentit aty me dikë edhe mund të ishin konfliktuar në dhunë fizike, jo në vrasje, s’na shkonte mendja në botë, vetëm kur e pamë të vrarë e besuam realisht.
Ishte gjaknxehtë?
Im atë asnjëherë nuk ka qenë gjaknxehtë, as me ne fëmijët , jo më me njerëz të tjerë. Nuk ka qenë konfliktual, jo se e them unë se jam djali i vet, por e thotë gjithë zona e Roskovecit, gjithë qarku i Fierit, të gjithë që e kanë njohur tim atë.

Çfarë kujton nga telefonata e fundit, apo minutat e fundit të takimit?
Më tha të shkoja lart të punoja bashkë me të tokën. Nuk pranova, edhe shumë me qejf nuk është se e kisha.

Kishte ambicie për ju, mendonte se do t’i hynit politikës?

Ne na ka mbajtur larg politikës realisht. Ka punuar shumë me të tre në si djem. Në një periudhë kohe kam jetuar vetëm këtu në Tiranë, dhe im atë përtej angazhimeve politike, të gjithë ngarkesave, vinte cdo pasdite te shtëpia ku jetoja dhe më kontrollonte mësimet nëse isha përgatitur për të nesërmen. Ka dhënë shumë për ne, duke mos lënë jashtë vëmendjes edhe pjesën politike. Duke qenë brenda politikës, nuk kishte shumë dëshirë që ne t’i futeshim politikës dhe mundohej gjithmonë na mbante larg, edhe në fushata zgjedhore shumë rrallë mund të shkonim nëpër fushata.

Po bashkëshortes, nënës tuaj i kishte rrëfyer diçka?
Jo asgjë. Nuk ka patur shqetësime. Të paktën në ato kohë, kemi qenë goxha të lidhur do e kuptoja nëse do e shfaqte ndonjë problem apo shqetësim.

Edhe pse e veshur me mister,u tha se do të zbardhej vrasja e tij. Pas 10 vitesh ju cfarë mendoni tani?
Qeveria e aso kohe i kishte të gjitha instrumentat. Nëse do të donte ta zbardhte e kishte zbardhur. Ne kemi qenë pak skeptik aso kohe, u dhanë shumë premtime u thanë shumë fjalë po edhe sot pas 10 vjetësh, absolutisht asnjë gjë. Nuk e di arsyen. Në bazë të informacioneve që kam unë, di që janë hequr të gjitha pistat, e vetmja që ka ngelur ka qenë pista politike.

Xhaxhai juaj tha se gjithë sa ndodhi, ishte për shkaqe politike. Vijoni t’i qëndroni ende pjesës që babai juaj është sulmuar në këtë ngjarje, fatale për të, politikisht?
Im at, siç e thashë nuk ka qenë konfliktual, ka qënë njeri që mundohej t’i ulte, ka qenë si katalizator edhe te të tjerët e asnjëherë nuk ka pas probleme, askush nga ne si familje dhe nuk besoj të ketë patur arsye personale. Nuk mendoj se edhe nëse do ishte konflikt personal do kishte ngelur enigmë dhe i pazbardhur akoma.

Referuar deklaratave në parlament, i ndjeri Sokol Olldashi u shpreh se ngjarja do të zbardhej sa më pare. U zotua edhe ministri i brendshëm asokohe Bujar Nishani, sa besim kishit se do të zbardhej ky krim i rëndë?
Patjetër që asokohe prisnin që të zbardhej se ne nuk dinim asgjë se cfarë kishte ndodhur kush e kishte bërë, dhe kishim besim pavarësisht se kemi rezervat tona lidhur me rrugët që u ndoqën për të hetuar për vrasjen e tim ati, nuk jam në dijeni të ndonjë deklarate që mund të ketë bërë i ndjeri Olldashi. Mbaj mend që qoftë ministri Nishani, qoftë Berisha të gjithë që ishin në pushtet deklaronin se do ta zbardhnin këtë ngjarje, po vetë koha tregon.

Kush ju vizitoi nga politikanët?
Të gjithë kanë ardhur, të gjithë politikanët.

Po nga mazhoranca e asaj kohe, qeveria?
Pjesa më e madhe ka ardhur.
Në 21 shkurt 2013, ju, familja , e miq të Roskovecit, i dërguat një letër Presidentit Nishani, kryeministrit Berisha, kryeprokurorit Llalla ku ndër të tjera i thonit: U bënë 4 vite që presim zbardhjen e ngjarjes, vënien para drejtësisë së autorëve. Kanë kaluar edhe 6 vite të tjera nga kjo letër, patët ndonjë përgjigje? 
Në dijeninë time ka qenë një nismë e ndërmarrë nga vetë banorët e Roskovecit. Ka qenë një peticion drejtuar të gjitha organeve për zbardhjen e vrasjes së tim ati. Fatmiri nuk është vrarë vetëm si Fatmir, është vrarë edhe si deputet i Republikës së Shqipërisë dhe normalisht minimumi që mund të bëhej ishte të zbardhej si vrasje. Mos të ngelej kjo enigmë e mos ta vuanim edhe sot pas 10 vitesh. Sido të ketë qenë, ne kemi deklaruar se për ne e rëndësishme është të zbardhet cilatdo qoftë arsyeja që ka ndodhur kjo, e rëndësishme është zbardhja e kësaj ngjarjeje.

Keni besim te drejtësia e re? 
E vjetra na zhgënjeu, normalisht që presim fjalën e drejtësisë së re.

Në fakt ka 6 vite që në pushtet është PS, forca që i përkiste babai juaj, Famir Xhindi, a mendoni se duhet të kishte bërë diçka për zbardhjen e ngjarjes?

Mendoj se më tepër është çështje e drejtësisë se sa çështje e qeverisë. Unë për drejtësinë e vjetër, derisa kanë kaluar 10 vjet dhe se ka thënë fjalën e vet, patjetër jemi të zhgënjyer. Kemi rezervat tona edhe me punën që ka bërë policia e asokohe, gjatë veprimeve që kanë marrë për krehjen e zonës aty.

Pse keni rezerva?
Për mënyrën si ka proceduar policia atë natë, e ditët në vazhdim. Ne vetë si familjarë, pas 3-4 muajsh shumë afër shtëpisë sonë kemi gjetur një krehër kallashnikovi me fishekë, dhe nëse s’do e kishim gjetur ne ajo do kishte ngelur akoma aty.

Duke mbetur te policia, asokohe u zotuar ministria e brendshme për një shpërblim për këdo që do të jepte informacion. Në dijeninë tuaj, policia ka marrë informacione të vlefshme lidhur me këtë ngjarje?

Nuk e di, nuk mund të flas dot, edhe nëse do kishin marrë nuk është  cështje që do e kishin ndarë me ne si familjarë.

Edhe sot pas 10 vitesh, nuk kanë munguar deklaratat politike, që thonë se Fatmir Xhindin e vrau qeveria e kryeministrit Berisha. A keni ju një koment për këtë?

Unë nuk e di kush e ka vrarë Fatmir Xhindin, unë mund të them që ne nuk kemi patur asnjë problem personal, pronash apo tokash, sikundër është aluduar asokohe. Unë di vetëm të them që e vetmja pistë që ka ngelur sot për t’u hetuar është vetëm pista politike. Nuk mund të vendos emër se cili apo cilët kanë qenë ato që e kanë organizuar apo e kanë kryer vrasjen e tim ati. Le të shpresojmë që drejtësia e re do t’i vendosë një emër kësaj ngjarjeje në mënyrë që edhe në si familjarë të qetësohemi po edhe shpirti i Fatmirit të prehet i qetë.

Cilët kanë qenë miqtë politikanë të babait tuaj, qoftë nga forca politike apo edhe kundërshtare?
Ka patur shumë miq, do veçoja kryetarin e Parlamentit, Gramoz Ruçi, Namik Dokle, Stefan Cipa, Vangjel Tavo e shumë të tjerë.

Po nga e djathta?
Myslim Murrizin, me një pjesë të mirë të deputetëve të djathtë kanë qenë miq të afërt madje.

Pati shpresë se diçka do të dilte nga analiza e imët e tabulateve telefonike. Sot ju keni informacion se diçka doli nga këto tabulate?
Jemi interesuar por nuk na kanë dhënë informacion dhe nuk dimë se çfarë është bërë me këto gjëra. Nuk e dimë deri ku ka arritur hetimi i këtyre tabulateve.