Bulqizë, rreth 30 persona përfundojnë të helmuar në spital

Rreth 30 persona janë paraqitur në Urgjencën e Spitalit të Bulqizës në harkun kohor të 24 orëve, për të kërkuar ndihmë mjekësore.

Burime nga spitali thonë se fluksi i pacientëve me shenja helmimi vjen nga lagjja e vjetër e qytetit të Bulqizës. Mjekët thonë se intoksikimi dyshohet të jetë shkaktuar nga uji i pijshëm.

“Shenja intoksikimi janë, sepse shprehen me të vjella, me heqje barku. Shkaqet pastaj nuk dihen, por më shumë dyshime ngrihen për linjën e ujit të pijshëm. Vet kontigjenti në qytet bën që mundësia të jetë më tepër prej ujit, sepse nuk bëhet fjalë as për dasma, as për takime të tjera”, tha mjeku Shahin Kaja.

Të kontaktuar nga Top Channel, përfaqësues të Drejtorisë së Ujësjellësit në Bulqizë thonë se nuk janë njoftuar për ndonjë defekt në tubacionet që kalojnë në galeritë e minierave të zonës D.