Denaj-Chakrabarti: Mbështetja e BERZH do vazhdojë në sektorin publik dhe privat

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj priti në një takim Presidentin e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Sir Suma Chakrabarti. Ministrja Denaj shprehu kënaqësinë për zhvillimin e këtij takimi dhe vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme që Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka dhënë për Shqipërinë.

Gjatë takimit, palët diskutuan mbi zhvillimet ekonomike në Shqipëri dhe mbështetjen që BERZH i ka dhënë dhe i jep vendit tonë, si dhe bashkëpunimin mes qeverisë shqiptare dhe BERZH në vijim, fokusuar sidomos në programet e investimeve në turizëm dhe infrastrukturë. Presidenti i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me autoritetet shqiptare dhe shprehu angazhimin që ky bashkëpunim të forcohet akoma më tej.

Ministrja Denaj tha në një prononcim pas takimit me Presidentit e BERZH se qeveria është angazhuar në zhvillimin e disa sektorëve të ekonomisë ku dhe BERZH ka dhënë mbështetje në vitet e fundit, si turizmi apo bujqësia.

“BERZH ka treguar angazhim në këto sektorë dhe këtë angazhim e ka bërë nëpërmjet zhvillimit të portofolit të tij si në sektorin publik, me projekte në infrastrukturë, ashtu dhe në sektorin privat, sidomos me mbështetjen që i ka dhënë bizneseve në mënyrë të drejtpërdrejtë, por edhe nëpërmjet mbështetjes që i ka bërë këtyre të fundit në akses në financë, në marrjen e kredive, me kushte më të mira dhe me superimin e problemit që ekziston te garancia nëpërmjet programeve të mbështetjes me fonde garancie, ku dhe qeveria shqiptare është e angazhuar në një prej tyre, në atë në bujqësi, në programin e 180 milionë eurove të cilin ne e kemi lançuar në 2016-ën, u shpreh Ministrja Denaj.

Angazhimi i BERZH në mbështetjen e këtyre sektorëve të ekonomisë është konfirmuar edhe në takimin e sotëm, ndërkohë është shprehur dhe angazhimi për të ndihmuar në përmirësimin e arsimit profesional në vendin tonë, duke e çuar atë në një nivel më të lartë.
“Ne jemi duke punuar si qeveri shqiptare në shkollat profesionale në disa drejtime, por në fushën e turizmit dhe të bujqësisë BERZH kërkon të angazhohet më shumë edhe në krijimin e një strukture më të qëndrueshme për bizneset, ajo që është forca punëtore, e cila të jetë jo vetëm e qëndrueshme, por të jetë dhe e aftë dhe kjo aftësi të mbështetet me programe suporti dhe nga BERZH”, tha Ministrja Denaj.