Refugjatët, sot në fuqi marrëveshja me FRONTEX

Marrëveshja për menaxhimin e përbashkët të kufirit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian hyn sot në fuqi. Këshilli i Bashkimit Europian njoftoi hyrjen në fuqi të marrëveshjes sot, duke vënë në dukje se kjo është marrëveshja e parë e kësaj natyre e nënshkruar mes BE-së dhe vendeve jashtë kufirit të Bashkimit Europian.

Marrëveshja e nënshkruar me Agjencinë Europiane të Rojave Bregdetare dhe Kufirit, FRONTEX për menaxhimin e kufijve në kuadër të përballimit të fenomenit të emigracionit, është një vlerë e shtuar dhe fokusi i saj është lufta kundër migracionit të paligjshëm, si dhe rritja e numrit të operacioneve të kthimit, apo pranimit të migrantëve nga vendet e treta që vijnë në Shqipëri.

Marrëveshja në fjalë është nënshkruar më 12 shkurt të vitit 2018, ku ministri i Brendshëm i atëhershëm, Fatmir Xhafaj bëri me Komisionerin për Migrimin dhe Punët e Brendshme në BE, Dimitris Avramopulos gjatë një vizite në Tiranë.

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca përgëzoi Shqipërinë për këtë arritje. Marrëveshja midis Kufirit Europian, ”Gardës Cost” Frontex dhe Shqipërisë është nënshkrimi i parë i bërë dhe që do hyjë në fuqi me një vend që nuk është në Bashkimin Europian. Rojet e para të kufirit Frontex do të vendosen më 21.05.2019″,-shkruan Soreca.

Kjo marrëveshje ndikon rritjen e sigurisë kombëtare, në luftën kundër krimit ndërkufitar në kufijtë e Shqipërisë me vendet e BE-së. Aty do të jenë të fokusuar edhe oficerët e FRONTEX, që do të punojnë bashkë me oficerët tanë të Kufirit dhe Migracionit. Kryerja e këtyre operacioneve të përbashkëta do të shërbejë si një lloj trajnimi për policinë tonë kufitare. Po ashtu do të kemi edhe mbështetje logjistike nga ana e FRONTEX për të mbikëqyrur kontrollin kufitar në kufi me vendet e BE-së, me Greqinë dhe Italinë.