Panairi i Punës Tiranë, Denaj: Mbi 6 mijë vende pune të lira për punëkërkuesit

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, nëpërmjet Shërbimit Kombëtar të Punësimit, organizoi sot në Tiranë Panairin e Punës 2019, si pjesë e ciklit të panaireve që do të zhvillohen në të gjithë qarqet e vendit. Për vitin 2019, MFE i është bashkuar organizimit të përbashkët me Bashkinë Tiranë dhe Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë të panairit të Punës në kuadër të eventit “Work &Study2019”.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj ishte e pranishme sot në Sheshin Skënderbej, ku u organizua aktiviteti, dhe vizitoi nga afër stendat e biznesve pjesëmarrëse. Ministrja ftoi të rinjtë dhe të rejat që të vizitojnë panairet e punës, ku mund të adresojnë nevojat dhe kërkesat e tyre për t’i përshtatur me tregun e punës dhe ofertat e sjella nga bizneset. Ajo theksoi se janë mbi 6 mijë vende të lira pune që ofrohen nga bizneset dy panairet, Panairi i Tiranës 2019 dhe “Work & Study 2019”.

“Përfitoj nga kjo ditë të uroj së pari 1 Majin dhe të falënderoj të gjithë pjesëmarrësit në këtë Panair. Janë 72 biznese që marrin pjesë në panairin jashtë dhe 60 biznese në stendat këtu brenda, të cilët së bashku ofrojnë më shumë se 6 mijë vende pune. Kjo është një traditë e cila vazhdon prej gati 10 vitesh, por së fundmi e kthyer në një rutinë në 12 qarqe ndërkohë që flasim. Është muaji i Panaireve të Punës dhe gjej mundësinë të ftoj të gjithë të rinjtë dhe të rejat të adresojnë nevojat e tyre, për t’i përshtatur këto nevoja, dëshira dhe kërkesat e tyre për tregun e punës me ofertën e sjellë nga këto biznese”, u shpreh Ministrja Denaj.

Në Rajonin e Tiranës ushtrojnë aktivitetin e tyre Zyrat e Punësimit në Tiranë dhe Kavajë. Sipas të dhënave të fundit të INSTAT mbi forcën e punës 2018 për qarkun e Tiranës, pjesëmarrja në forcën e punës është 64.0% nga 62.7%. Për periudhën 1 janar-30 prill 2019, janë shpallur 17905 vende të lira pune, nga këto 6744 në rajonin Tiranë ose 38 % të totalit të Vendeve të lira të punës të shpallura në rang kombëtar; janë punësuar 8896 punëkërkues të papunë nga këta 2390 punësime në rajonin Tiranë; 517 punëkërkues të papunë janë dërguar në kurse të formimit profesional. Panairi i Punës në Tiranë pason panairet që u zhvilluan pak ditë më parë në Elbasan dhe Fier.