Eurot në “Toyota”, dy kushërinjtë Vladi në Belgjikë dhe Gjermani

Alfred dhe Elvis Vladi, dy personat e dyshuar si porositësit e makinave “Toyota Yaris”, ku rreth 1 vit më parë u kapën 3.4 milionë euro rezultojnë të pastër penalisht në Belgjikë dhe Gjermani. Prokuroria e Krimeve të Rënda, ka në dorë informacionet e ardhura nga autoritetet belge dhe gjermane për dy kushërinjtë Elvis dhe Alfred Vladi, të dyshuar për aferën e 3.4 milionë eurove që u gjetën në makinat “Toyota Yaris” e sekuestruara rreth një vit më parë në portin e Durrësit.

Nga përgjigjet e kthyera nga drejtësitë e dy shteteve europiane rezulton se Elvis dhe Alfred Vladi janë të pastër dhe pa precedentë të mëparshëm penalë në këto dy shtete. Në letërporosinë e kthyer nga autoritetet belge është e zbardhur edhe dëshmia e shitësve të makinave që janë marrë në pyetje për këtë ngjarje. Në deklarimet e tyre thuhet se ata kanë bërë një kontratë shitje të rregullt dhe se nuk disponojnë asnjë informacion në lidhje me paratë e gjetura brenda makinave.

Po ashtu, organi i akuzës shqiptare, nëpërmjet letërporosive i ka kërkuar informacion autoriteteve britanike në lidhje më këta dy persona. Nga verifikimi i dokumentacionit rezulton se “Toyota Yaris”, ku ndodheshin paratë ishte porositur nga Alban Mollaymeri, që është i arrestuar. Mollaymeri, në deklarimet para grupit të hetimit, ka pohuar se ka një servis privat me makina dhe se “Toyotat” i ka porositur nëpërmjet të njohurit të tij, Alfred Vladit.

Burimi: Abc News