Dështimi i qeverisë “Rama” në Berlin

Në Berlin u mbajt dje samiti i vendeve të Ballkanit, forumi më i rëndësishëm i viteve të fundit për rajonin, i organizuar nga dy vendet kryesore të BE, Gjermania dhe Franca. Delegacioni shqiptar i përbërë nga kryeministri Edi Rama, zv/ministri i Jashtëm Gent Cakaj dhe ministrja e Shtetit për marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali kishte dy pika kryesore në axhendën e tij; Kosova dhe çelja e negociatave për Shqipërinë. Nga mënyra sesi u prezantua Shqipëria, mund të thuhet se diplomacia jonë dhe politika e jashtme dje pësoi një dështim total në të dyja këto çështje. Samiti kishte temë kryesore marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe dhënien fund të debatit të rrezikshëm për ndarjen e kufijve mes tyre. Realisht Shqipëria nuk ka ndonjë vendimmarrje në këtë proces, por qëndrimi që ka mbajtur qeveria “Rama” ndaj idesë së copëtimit është një fiasko diplomatike. Për herë të parë në historinë e diplomacisë sonë, delegacioni shqiptar nuk kishte ndonjë projekt të qartë lidhur me debatin për Kosovën. Në mënyrë indirekte, Edi Rama dhe këshilltarët e tij kanë mbështetur idenë e ndarjes së Kosovës, ndërsa zyrtarisht kanë deklarata të paqarta që tregojnë jo vetëm mungesë serioziteti, por edhe përfshirjen e interesave kombëtare në lojëra të rrezikshme. Ndaj dje, pala shqiptare në Berlin nuk dihej nëse ishte në krah të Serbisë që flet për ndarje territoresh apo në krah të Kosovës dhe qeverisë së saj që është kundër një projekti të tillë. Gjermania ka një qëndrim të qartë se Tirana kur vjen fjala për Kosovën dhe është kategorikisht kundër ndryshimin e kufijve. Fatmirësisht çështja e marrëveshjes Kosovë-Serbi nuk është lënë në dorë të faktorëve lokalë, sepse me mënyrën sesi po sillej qeveria “Rama” dhe qëndrimet e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dje mund të kishim dëgjuar nga Berlini çudira të paimagjinueshme. Çështja më me rëndësi e këtij samiti për Shqipërinë lidhet me hapjen e negociatave. Kryeministri Edi Rama shkoi në Blerin me besimin se në qershor vendi do të çelë negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Europian. Sipas asaj që kanë thënë kryeministri dhe gjithë kabineti qeveritar prej një viti, tashmë nga Brukseli pritet vetëm një datë në muajin qershor ku të konfirmohet që procesi i anëtarësimit me Shqipërinë u hap. Po mesazhet që erdhën dje nga Berlini jo vetëm nuk përcaktuan një datë, por i shtynë negociatat në shtator, pa dhënë asnjë garanci se përgjigja do të jetë pozitive. E thënë thjeshtë, qeveria “Rama” dështoi në prioritetin kryesor të saj, atë të integrimit të në BE. Të vërtetën dhe detajet e bisedimeve në Berlin nuk e gjen në deklarata e qeverisë që flasin për sukses në takimin me Angela Merkel, por në raportimet e medias shtetërore gjermane në gjuhën shqipe “Deutshe Ëelle”. Media e njohur raportonte dje pak pas përfundimit të takimit Rama-Merkel, se biseda e dy delegacioneve zgjati më pak se 30 minuta. Ndërsa për çështjen kryesore të negociatave, “Deutcshe Ëelle” raportonte se hapja e tyre për Shqipërinë është më se e pasigurt. “Më pak se gjysmë ore kohë kishte Merkel në takimin me Edi Ramën para se në orën 17:00 të përshëndeste presidentin francez, Macron. Për Shqipërinë ka shumë rëndësi çelja e negociatave, por momentalisht kjo është më se e pasigurtë”,- thuhet në raportimin e medias gjermane për takimin Rama-Merkel. Raportimi i “Deutsche Ëelle” u postua në rrjetet sociale dhe krijoi jo pak paqartësi për shtyrjen e negociatave, pas ndryshimit që ju bë njoftimit disa minuta më vonë, duke e përafruar përmbajtjen e tij me deklaratën që kishte shpërndarë qeveria shqiptare për takimin. Por çdo dilemë për mesazhin që kishte marrë Edi Rama nga takimi me Merkel u sqarua në një raportim profesional në faqen zyrtare të medias gjermane. Në shkrimin ku pasqyrohen takimet e kancelares Angela Merkel me kryeministri Edi Rama dhe atë të Maqedonisë, Zoran Zaev thuhet në mënyrë të qartë se negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë do të shtyhen të paktën deri në muajin shtator. “Qarqet diplomatike nga Berlini rikonfirmojnë për DË se Franca nuk dëshiron ta zërë fare në gojë çështjen e zgjerimit të BE-se në prag të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, që do të mbahen në fund të majit. Merkel megjithatë nuk mund të marrë asnjë vendim pa miratimin e Bundestagut. Siç mësoi DË nga qarqet politike pranë CDU-së, afati kohor që nga publikimi i raportit të progresit të BE-së, më 29 maj deri në samitin e BE-së në qershor nuk mjafton për të marrë një vendim për çeljen e negociatave. Burime nga CDU/CSU i thanë DË-së vendimi i tyre do të shtyhet në shtator”, raporton Deutshe Welle.
Në këtë mënyrë hapja e negociatave për Shqipërinë është jo vetëm e pasigurtë, por edhe me një afat që nuk ka garanci se do të jetë muaji shator. Pas zgjedhjeve për Parlamentin Europian nuk dihet se çfarë qëndrimi do të mbajnë vendet e BE ndaj procesit të zgjerimit dhe konkretisht ndaj Shqipërisë. Çështja e negociatave tashmë që s’ka afat është pranuar indirekt dhe nga deklarata e qeverisë shqiptare për takimin mes Edi Ramës dhe Merkel. Në njoftimi e shkurtër thuhet se “Kryeministri Rama foli edhe për pritshmëritë e qeverisë shqiptare për raportin e Komisionit Europian që pritet të publikohet në fund të muajit maj”. Pikërisht kjo deklaratë tregon se negociatat janë ende larg. Raporti i KE për Shqipërinë u publikua një vit më parë rekomandoi hapjen e negociatave pas një viti, nëse qeveria shqiptare do të kishte plotësuar reformat dhe kushtet. Fakti që Kryeministri flet ende për raport të KE nënkupton se veç kushteve të një viti më parë, Shqipëria mund të ketë kushte të tjera shtesë. Nëse Edi Rama do të fliste për pritshmëri nga Samiti i Berlinit sot do të kërkohej zyrtarizmi i hapjes së negociatave dhe jo shpresë se raporti i radhës do t’i rekomandojnë Këshillit të Ministrave sërish hapjen e negociatave.
Fatkeqësisht Shqipëria dështoi edhe kësaj radhe për të hapur negociatat.
Qamil Xhani