”Avengers: Endgame” thyen rekordin e “Box Office”

“Avengers: Endgame” ka thyer rekordet e “Box Office” duke grumbulluar 1.2 miliardë dollarë nga shitjet e biletave në debutimin e tij. Filmi i “Disney”-t u bë në këtë mënyrë më i shpejti në thyerjen e barrierës së një miliard dollarëve në vetëm 5 ditë.

Saga e superheronjve të “Marvel”-it ishte ajo që kishte vendosur edhe rekordin e një viti më parë, me 640 milionë dollarë të mbledhur nga “Avengers: Infinity War”.  “Forbes” theksoi se 45% e shitjeve globale të biletave erdhën nga shfaqjet “3D” në mbarë botën.

Vetëm në Shtetet e Bashkuara, “Endgame”, me yll kryesor Robert Downey Jr. në rolin e “Iron Man”, solli një rekord prej 350 milionë dollarësh. Por, filmi tërhoqi një audiencë gjigante edhe në Kinë, ku shënoi gjithashtu një rekord prej 330.5 milionë dollarësh, në çeljen që e pati përpara Amerikës së Veriut.