4 mujori i paqëndrueshëm i Euros- Si u luhat monedha europiane në tregun shqiptar

Monedha europiane ka shënuar një luhatje të ndjeshme kundrejt lekut, gjatë katër mujorit të parë të këtij viti në tregun e këmbimit valutor, sipas informacioneve të publikuara nga Banka e Shqipërisë.

Fillimi i vitit është shoqëruar me një rritje të rëndësishme të euros, duke shënuar në 11 janar 2019 vlerën prej 125.57 lekëve. Në më pak se një javë euro ka pësuar një rënie të dukshme në tregun e këmbimit valutor duke arritur në vlerën e 123.88 lekëve në datën 17 janar.

Luhatjet e monedhës së Eurozonës gjatë periudhës në vazhdim kanë qenë të lehta deri në datën 28 Shkurt, kur euro arriti në vlerën e saj më të lartë të shënuar gjatë këtij 4 mujori të parë të vitit, në nivelin e 125.92 lekëve.

Ky trend pozitiv ka vazhduar edhe gjatë muajit vijues deri në datën 12 Prill kur sërish valuta europiane pësoi një rënie të ndjeshme në vlerën e 123.58 lekëve, duke arritur gjatë fundjavës së shkuar të 26 prillit në vlerën e saj më minimale shënuar gjatë gjithë katër mujorit prej 123.31 lekëve.