Pashkët, Presidenti Meta: Të reflektojmë për më shumë bashkëpunim

Presidenti Ilir Meta ka uruar besimtarët e fesë ortodokse festën e Pashkëve, gjatë një vizite në katedralen ”Ringjallja e Krishtit”.

Presidenti vizitoi sot Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë ku u prit nga Kryepeskopi i Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Anastasi dhe klerikë të tjerë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Në një prononcim për mediat, Kreu i Shtetit tha se një ditë si kjo duhet të shërbejë si reflektim për më shumë bashkëpunim për të mirën e përbashkët.

“Është një ditë e demonstrimit kundër dëshpërimit dhe simboli i shpresës për një të ardhme më të mirë, pasi është po ashtu edhe një ditë e triumfit te jetës mbi vdekjes, të shpresës mbi pasigurinë, një ditë që na ndihmon të reflektojmë për më shumë bashkëpunim e harmoni për të mirën e përbashkët”, u shpreh Meta.

Presidenti apeloi edhe dje për dialog, kur u shpreh se ‘‘me besimin në Zot dhe me dialog e vëllazërim, shoqëria jonë mund të tejkalojë çdo sfidë, pavarësisht sakrificave, për të ecur e sigurt drejt së ardhmes më të mirë, në familjen europiane”.