Mijëra shqiptarë të kthyer nga emigrimi për Pashkën

Përgjatë ceremonive tradicionale të mbajtura në Katedralen e re në Gjirokastër, qindra besimtarë ortodoksë iu bashkuan meshës së Pashkës, që zgjati deri pas mesnate.

At Krisostomi, që e drejtoi këtë meshë, bëri thirrje për më shumë paqe dhe ndriçim të brendshëm. Ai ftoi besimtarët të marrin dritë nga ringjallja dhe ta shpërndajnë atë. Besimtarët ortodoksë, që ishin mbledhur në Gjirokastër edhe nga zonat përreth, si dhe qindra të tjerë të kthyer nga emigracioni, shkëmbyen urime për një vit më të mbarë, harmoni dhe paqe.

Që prej mesit të javës, vetëm prej pikëkalimit kufitar të Kakavijës kanë mbërritur në Shqipëri për të festuar Pashkën me familjet e tyre më shumë se 20 mijë vetë, ose gati dy herë më pak sesa viti i kaluar. Autoritetet nuk flasin për radhë por për fluks të njëkohshëm në hyrje, çfarë besohet se do të reflektohet edhe gjatë daljes nga Shqipëria, duke nisur nga mëngjesi i së hënës.