Rakipi: Jemi në krizën më të rëndë pas vitit ‘97. Vendi po shkon drejt përplasjes

Gazetari dhe drejtuesi i emisionit “Të paekspozuarit”, Ylli Rakipi, e cilëson krizën politike si më të rëndën që po kalon vendi, pas asaj të vitit 1997. Në një intervistë dhënë në televizionin “News24”, deklaroi se vendi po shkon drejt anarshisë.

Është një nga situatat më të vështira në këto 30 vite, përjashtojmë këtu vitin 1997, që vendi kaloi në një anarshi të madhe. Por, situata është vërtetë e vështirë edhe sot opozita shqiptare, koalicioni opozitar, ka dalë jashtë parlamentit dhe ka marrë vendime të rëndësishme, dhe nuk do të shkojë në zgjedhje siç e dimë të gjithë tani, pa një qeveri tranzitore, pa Edi Ramën. Edi Rama, është njeriu thotë opozita që i ka blerë votat e vitit 2017, prova të zbuluara ditë pas dite, sipas opozitës, dhe pushteti i Ramës është ilegjitim” -u shpreh Rakipi.

Ai deklaroi se pavarësisht deklaratave të partive. Shqipëria është i vetmi vend në rajon që nuk bën dot zgjedhje të drejta, zgjedhje të lira, prej 30 vitesh. Rakipi deklaroi se Edi Rama nuk po qeverisë më vendin, por vetëm po punon për një grup biznesmenësh.

Një situatë shumë e vështirë është krijuar. Situatat nuk është se i ngjajnë njëra tjetrës, po përsëritet një ’97, që vidhen depon, zbrazen pushkët, është një gjendje edhe sot, pothuajse e tillë. Po ta vësh re, Edi Ramës i dalin gjithandej, sepse ka një vendim politik për këtë punë, në mënyrë që kryeministrit t’ia bëjë gjithçka të pamundur, t’ia bëjë të pamundur qeverisjen. Dhe aktualisht Edi Rama me përjashtim të ndonjë vendimi, për koorporatat që po krijon për interesa të vetat, ai nuk është se po qeveris vendin. Dhe në këtë pikëpamje, jeta politike e vendit, drejtimi i vendit, është bllokuar. Ne nuk kemi tani një qeverisje të qartë. Mund të ketë investitorë të hyjë në Shqipëri në këto momente?”,- vijoi Rakipi.

Gazetari shtoi se Edi Ramës i kërkohet largimi si kryeministër dhe bërja e zgjedhjeve, dy kushte që ai nëse do t’i ishte i bindur në fitoren e PS duhet t’i kishte plotësuar që në nisje të krizës. “Realisht Shqipëria është drejt një konfrontimi. Të dy palët po luajnë fort me nervat e njëra tjetrës. Opozita thotë nuk ka zgjedhje më 30 qershor, dhe e ka jetike. Ndërsa maxhoranca thotë me qetësi, ne do shkojmë në zgjedhje do fitojmë partitë, etj. Opozita reale e vërtetë, se kemi edhe opozitë të opozitës, nuk do të hyjë në zgjedhje. Nëse bie Edi Rama, opozita shkon në zgjedhje, ky është kusht thelbësor. Pa këtë kusht opozita është e asgjësuar. Është përsëritje e shëmtuar e një super çadre”, -theksoi Rakipi.

Duke folur për mënyrën sesi opozita do të pamundësojë zgjedhjet, Rakipi u shpreh se “ndoshta fizikisht, me përplasje”.

Në studion e emisionit “Kjo Javë” gazetari Ylli Rakipi komentoi edhe protestat e opozitës, përshkallëzimin e tyre, si edhe krijimin e partisë së re “Bindja Demokratike” e cila u votua nga KQZ. “Opozita nuk po kërkon të ndërrojë kokë për kokë, Edi Ramën me Lulzim Bashën. Nuk po thotë njeri të ikë Edi Rama, ai t’i lerë vendin një qeverie tranzitore që do të çojë vendin, me një paketë reforme, në zgjedhje të lira e të ndershme, për herë të parë, pas 30 vjetësh, dhe Edi Rama merr meritë në këtë rast. Opozita mund të humbë në zgjedhje dhe nëse ai ka siguri absolute sikundër thotë se votat e tij janë rritur, bujrum bëj proceset normale, bëj reformat, shko në zgjedhje, fito, rri 20 vjet në pushtet. Kjo opozitë, sipas meje këtë po kërkon”,- u shpreh Rakipi.

Gazetari Ylli Rakipi komentoi edhe qëndrimet e deputetëve të rinj të opozitës në parlament. “Ne jemi një popull interesant, ne e ulim shpinën menjëherë. Diktaturat te ne, kanë qenë më të egra më të ashpra sepse jemi vetë ne të tillë, ulim qafën. I ke parë parlamentarët që kanë vajtur atje, mbi ç’bazë? E ke parë si qeshin ata kur flet Edi Rama. Kënaqen më shumë këta, opozita e re, sesa parlamentarët e Edi Ramës. I pash pardje duke buzëqeshur kur fliste të enjten kryeministri, dhe ata gjithë dritë e gjithë qeshje, opozita. Opozita që ka hyrë aty për të rrëzuar Edi Ramën”, -u shpreh Rakipi.

Lidhur me partinë “Bindja Demokratike” e krijuar nga Astrit Patozi, e cila u votua edhe në KQZ, Rakipi u shpreh se kjo parti nuk e dëmton PD. “Pa marrë formë të prerë gjykata për partinë e re të krijuar, maxhoranca vrapoi që ta regjistrojë. Pra, Edi Rama po luan edhe me faktin që i duhet edhe një parti për ta patur aty, që i duhet, ndoshta Patozin, mund të jetë nisur edhe nga qëllimi i mirë, në një moment krize, ku unë hyj dhe përfitoj. Po përfitimet në këtë rast janë në kurriz, jo vetëm të opozitës por të njerëzve dhe nuk është një moment i mirë për z.Patozi”,- tha Rakipi.

Në kushtet kur në zgjedhjet vendore, nuk merr pjesë as PD, as LSI, Rakipi tha se Rama i jep një pjesë të votave partisë së re, apo opozitës që do të hyjë në zgjedhje. “Bindet Edi Rama që t’ja japë një pjesë të votave edhe opozitës që do të hyjë në zgjedhje, jo vetëm Patozit, mund të ketë edhe njerëz të tjerë, dhe i ndan aty. I jep bashkinë e Klosit, ose të Mamurrasit, bashki që nuk i duhen ua kalon këtyre partive. Është në të drejtë të tij Astrit Patozi, e ka thënë vetë. Ka të drejtë ta krijojë partinë e vet”,- deklaroi ai.

Ndërsa komentoi protestën e 13 prillit të opozitës së bashkuar, Rakipi tha se shumë njerëz kanë dalë të protestojnë. “Shumë njerëz vijnë, edhe militantë, po edhe njerëz në hall. Janë ata pak njerëz që kanë mbetur në Shqipëri, që nuk kanë mundur të ikin. Nuk ikin dot as në Greqi që është vendi më i thjeshtë për të ikur. Kanë mbetur një kategori këtu, për fat të keq të Edi Ramës, dhe ata janë ngritur se nuk kanë bukë një pjesë e mirë. Ne që jetojmë në këtë oazin e qendrës së Tiranës, e kemi pak të vështirë, jo gazetarët, se një pjesë e mirë i shohin këto problematike. Por e vërteta është që aty dalin edhe njerëz që nuk kanë bukën e përditshme, nuk kanë asnjë mjet jetese. Niveli ekonomik është zero. Statistikat e atyre që dëshirojnë të ikin, sipas institucioneve prestigjioze, qoftë edhe atyre që janë afër qeverisë këtu, janë deri në 84 % është shifra e fundit. Edhe të këtyre që kanë mbetur duan të largohen nga ky vend. Pra, këtu pritet të mbetet Edi Rama, Lulzim Basha duke protestuar, ose vjen popullsi arabe e siriane e mbushet Shqipëria përsëri me banorë dhe e drejton edhe për ca vjet Edi Rama”,- tha gazetari Ylli Rakipi.