Petrit Vasili: Të hetohen shpenzimet qeveritare për sigurinë e Edi Ramës

Lëvizja Socialiste për Integrim ka kërkuar sot nga institucionet që të nisin hetimet për shpenzimet që kryeministria bën për sigurinë e Edi Ramës. Ish-kreu i deputetëve të LSI, Petrit Vasili, në një deklaratë për mediat iu referua takimeve të fundit të Edi Ramës në Shkodër dhe në Elbasan, ku sipas raportimeve të mediave, për sigurinë e kreut të qeverisë janë angazhuar me qindra forca policore.

Vasili deklaroi se shqiptarët po paguajnë me taksat e tyre që Edi Rama të shkojë në qytete dhe të bëjë takime ku ka më shumë policë dhe agjentë sesa qytetarë.

Në emër të LSI, Vasili i bëri thirrje Kontrollit të Lartë të Shtetit që të nisë verifikimet administrative për fondet e buxhetit të shtetit që po shkojnë për aktivitete të panevojshme dhe jashtë çdo kriteri ligjor. “Po paguhen qindra milionë lekë për ushtrinë, policinë dhe agjentët që shoqërojnë Ramën. Shqiptarët nuk kanë lekë për të shpenzuar për takimet e Ramës me policinë”,- deklaroi Petrit Vasili.

Përfaqësuesi i LSI-së kërkoi dhe hetime nga prokurori lidhur me shkeljet ligjore që një pjesë e drejtuesve të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës kanë kryer gjatë muajve të fundit të protestave. Ai deklaroi se opozita i ka identifikuar të gjithë zyrtarët e policisë, me uniformë apo civilë, që kanë shkelur ligjin gjatë tubime duke dhunuar qytetarët në Tiranë dhe në rrethe.

Kryeministri Edi Rama ishte dje në Shkodër ku u raportua nga mediat për më shumë se 500 forca policore, efektivë të gardës dhe agjentë të SHISH që ishin në terren për të ruajtur kreun e qeverisë. E njëjta situatë ishte dhe sot në Elbasan, ku reparte speciale me më shumë se 100 efektivë u panë rrugëve të qytetit. Ndërkohë që numri i gardistëve me uniformë dhe civilë ishte disa herë më i madh. Po ashtu, gjithë komisariati i Policisë së Elbasanit sot ishte me kohë të plotë vetëm në shërbim të kreut të qeverisë.

VIDEO/Deklarata e Petrit Vasilit

Vasili ka bërë dhe një llogari paraprake të shpenzimeve të Edi Ramës gjatë udhëtimeve të tij jashtë Tiranës. “Çfarë do të thotë që Edi Rama shkon me helikopter? Shumë thjesht, një vajtje e Edi Ramës me helikopter kushton 1 milion e 500 mijë lekë. Për qytetarin e thjesht, jo për pasanikun pafund, miliarderin Edi Rama po ja përkthej popullit, çfarë janë 1 milionë e 500 mijë lekë? Janë 2500 bukë,  me të cilat familje të varfra e me mijëra familje shqiptare sigurojnë mbijetesën e ditës dhe të fëmijëve të tyre. Pra bukën e 2500 familjeje e shpërdoron me një vajte pushtuesi në një nga qytetet e Shqipërisë. Dhe përditë këto shëtitjet politike të trembura të Edi Ramës kushtojnë mijëra bukë nga goja e qytetarëve, që ky të mundë edhe të vërë përfundi frikën e tmerrshme që e ka pushtuar. I bëj thirrje këtu Kontrollit të Lartë të Shtetit të monitorojë dhe kontrollojë batërdinë e financimeve dhe shpenzimeve pa fund, që shoqërojnë karvanët e pushtuesit lart e poshtë nëpër Shqipëri”,- deklaroi Petrit Vasili.