Durrësi fasadë i Dakos mbytet me dy pika ujë

Durrësi është një nga qytetet më problematikë përsa i përket kanalizimeve. Mjaftojnë dy pika shi dhe qyteti bregdetar kthehet në një Venecia, ku vetëm me varkë mund të kalosh.

Një nga zonat më problematike të Durrësit është edhe lagja 18 e qytetit. Së fundmi Bashkia e Durrësit shtroi rrugën nga Pallati i Sportit “Ramazan Njala” deri te stadiumi “Niko Dovana”, i cili ndodhet pikërisht në lagjen 18.

Pavarësisht se u pastruan kanalet dhe u shtrua rruga, sërish Durrësi nuk shpëtoi nga përmbytja. Një qytetar ka dërguar në redaksinë e JOQ Albania disa foto ku duket gjendja aktuale.

Kjo tregon edhe njëherë se punët në Durrës bëhen shkel e shko dhe sa për të kaluar radhën. Gjithashtu Durrësi është kthyer në një qytetë fasadë prej vitesh, ku kryetari i bashkisë nuk mendon për problemet e vërteta të qytetarëve.

Shembulli më ideal është Veliera, një velë gjigande përpara hyrjes së portit që do të kushtojë rreth 4 milion dollarë nga buxheti i bashkisë. Përpara problemeve të tjera që ka Durrësi, Veliera është plotësisht e panevojshme. Kjo jo vetëm sepse në gërmimet për të u gjetën rrënoja me vlera të rëndësishme historike, por i humb vlerat edhe Torrës Veneciane, që ndodhet fare pranë.