Rama kërcënon: Po prekët kutitë e votimit, do shkoni në kokërr të burgut

Kryeministri Edi Rama u ka kërkuar qytetarëve shkodranë që t’i besojnë Partisë Socialiste drejtimin e Bashkisë së qytetit. Gjatë aktivitetit “Bashkia që duam”, Rama u shpreh i bindur se më 30 Qershor partia që ai drejton do të fitojë Shkodrën. Teksa ka bërë edhe një paralajmërim për opozitën, nëse do të tentojë të bllokojë procesin zgjedhor më 30 Qershor.

“Ata të bëjnë çfarë të duan, ne në 30 Qershor këtu do të marrim Bashkinë e Shkodrës. Demokratëve të mërzitur u them ruani gomat që mos t’ja u marri Flamuri t’ja u djegi dhe s’ka filxhan që e përmbys fatin e zgjedhjeve që i shkruan populli me votë.

Ka një ligj përsa i përket prekjes së procesit zgjedhor. Për atë ligj duhet informuar publiku. Që kush pengon të tjerët të votojnë, shkon në kokërr të burgut. Për pengimin e procesit të votimit në çfarëdo forme shkon në kokërr të burgut. Unë them që nuk kanë gjetur asnjë budalla që do bëjë këtë punë. S’ka shans që të marrin peng procesin zgjedhor me kërcënime, me pengime, me bllokime dhe asgjë nuk ka për të ndodhur. Ka për të ndodhur vetëm ajo që të nesërmen e 30 Qershorit do zgjohen edhe Luli do jetë në gjumë. Edhe do rrinë ta kërkojnë”.

Rama tha se Shkodra duhet të ndjekë shembullin e Vlorës sa i përket investimeve. “A doni që dhe Shkodra të ndryshojë si Vlora? A doni që dhe Shkodra të marrë atë forcë të madhe tërheqëse si rezultat i një transformimi? Dhe kjo nuk është e vështirë. Ka vetëm një përgjigje, duhet që Partia Socialiste të drejtojë Shkodrën”.

Edi Rama nuk kurseu sulmat ndaj ish-deputetit demokrat Flamur Noka, i cili sot me disa simpatizantë të PD-së bllokoi rrugën ku do të kalonte Kryeministri drejt Shkodrës.

“Ndërkohë që vazhdojnë merren me histori komunizmash, tani si mund t’ja u falim faktin që kanë kaluar nga Jozefina Topalli tek Flamur Noka. Jozefina Topallin e kemi pasur kundërshtare, por me thënë të drejtën kur përballesh me Jozefinën ke përpara kundërshtarë, por kur përballesh me Flamur Nokën ke përpara një hu që s’ka fermerë që e përdor për gardhin e vetë. Si mundet PD që në Shkodër ka marrë besim qyl pa u diskutuar kurrë, edhe kur ka bërë ndonjë punë, se nuk është se s’ka bërë punë me thënë të drejtën, edhe kur s’ka bërë, e ka marrë beismin. Tani si mund të vijë puna deri në pikën ku t’i vihet në ballë Shkodrës demokrat Flamur Noka dhe Flamur Noka ta marri Shkodrën me vete për të bllokuar rrugët.

A keni parë ju që deputetët mbasi marrin mandatin të ikin nga Parlamenti dhe të bëjnë sherr për t’u futur në Parlament. Rrinë tek dera dhe hypin nëpër pemë. Ishin në sallë. Edhe në sallë vinin si në stallë me vezë nëpër xhepa, me gurë nëpër xhepa, me miell, me bojë. Ikën vetë, vijnë rrinë te gardhi edhe thonë pse na hidhni gaz lotësjellës. Ai gaz për atë punë është që të lotosh, s’është për të qeshur. A mund të ketë realisht dinjtet familja e demokratëve të Shkodrës kur sheh që udhëheqja e vetë lufton me kapsolla? Se Jozefinën unë me kapsolla nuk e imagjinoj dot”.

Takimi i Ramës në Shkodër, më shumë bodigardë dhe policë se qytetarë