Liverpooli shpartallon Huddersfield dhe ngjitet në krye të Premier League (VIDEO)

Liverpooli fiton dhe dhuron spektakël në sfidën hapëse të javës së 36-të në Premier League ndaj Huddersfield. Ekipi i drejtuar nga Jurgen Klopp ka triumfuar 5-0 në duelin e luajtur në “Anfield Road”.  Të kuqve ju deshën vetëm 16 sekonda për të gjetur golin e avantazhit. Pas një gabimi të një prej mbrojtësve të miqve, Salah rikuperoi topin dhe shërbeu më pas për Naby Keita, i cili arriti që të shënonte. Ky ishte goli më i shpejtë në historinë e klubit të të kuqve, si dhe i 100-ti në këtë sezon.

Në minutën e 23-të, pas një aksioni të bukur në krahun e majtë, Robertson kroson në zonë për Mane, i cili me një goditje me kokë arrin që të mposhtë portierin Lossl. Liverpooli nuk do të ndalej me kaq, pasi në fundin e pjesës së parë, do të realizonin edhe golin e tretë. Arnold dhuron një pasim fantastik për Salah, i cili me një prekje të lehtë e kalon topin mbi portierin dhe më pas nuk arrihet nga asnjë prej mbrojtësve të miqve.

Edhe pjesa e dytë do të dominohej totalisht nga ekipi i Jurgen Klopp, që shënoi edhe dy gola të tjerë. Në minutën e 66-të, Henderson hedhë një krosim në zonë, atje ku Mane e ka të thjeshtë për ta dërguar “sferën” në rrjetë.

7 minuta nga fundi i kohës së rregullt, Robertson jep asistin e dytë personal në këtë ndeshje për Salah, i cili e kishte të thjeshtë për ta shoqëruar topin në rrjetë. Egjiptiani realizoi golin e 21-të në këtë sezon, duke u ngjitur në krye të golashënuesve. Liverpooli ngjitet përkohësisht në krye të renditjes me 91 pikë, dy më shumë se City që ka një ndeshje mangët. /Rozalb Lika-Koha Jone/