(Mos) Bindja Demokratike e Patozit

Nga Marjana DODA –

Ish-n/kryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi themeloi partinë e re “Bindja Demokratike”. Parti e cila pas regjistrimit  në gjykatë dhe më pas në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për vendoret e 30 Qershorit, konfirmoi kështu lindjen e partisë së radhës në Shqipëri.

Astrit Patozi në fakt ishte demokrat i bindur si nënkryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike deri në qershorin e viti 2013 kur partia e tij në pushtet humbi  zgjedhjet parlamentare  .

(Mos)bindja demokratike Patozit ka filluar pasi Lulzim Basha  u zgjodh kryetar Partisë Demokratike . Ai fitoi bindshëm me afër 80 përqind të votave të anëtarësisë me rivalin e tij Sokol Olldashi , ku  më shumë se bindjen e anëtarësisë, duket se Basha kishte fituar bindshëm besimin e liderit historik Z.Berisha . Këtu bindja e Patozit ndaj PD-se  filloi të lëkundej duke mos e pranuar hapur kryetarin e ri të Partisë Demokratike ,ndërsa pabindshmërine tij e tregoi hapur pasi Lulzim Basha  la jashtë liste Patozin dhe shumë figura me kontribut të madh në Partinë Demokratike.

Pas kësaj ai ndërmori edhe një lëvizje për “Ringritjen e Partisë Demokratike”, që synonte demokratizimin e kësaj force politike. Patozi tentoi që të mbledhë në subjektin e ri ‘gardën’ e vjetër që u largua nga Lulzim Basha para zgjedhjeve të qershorit të 2017, por edhe të zhgënjyerit nga lidershipi i partisë më të madhe opozitare në Shqipëri, por në fakt kjo tymnaje u sfumua nëpër kafenetë e Tiranës.

Megjithatë Astrit Patozi  duhet thënë se është një nga figurat elitare të Partisë Demokratike , dhe si ish-nr 2 i kësaj partie nuk mund të qëndronte vendnumëro ,dhe deri ketu i jap të drejtë . Kjo vlen vetëm  për mosbindjen e Patozit dhe jo “Bindjen Demokratike”.

Bindja  Demokratike ka lindur nga bindja e fortë e qytetarëve të lirë të këtij vendi për një projekt të ri politik. Bindja Demokratike është dhe do të jetë një ofertë serioze dhe tërësisht e pavarur, sa herë që të ketë zgjedhje në Shqipëri. Bindja Demokratike është frymë dhe alternativë e re, në një shoqëri, ku monopoli partitokratik po vret konkurrencën dhe ka kufizuar lirinë e zgjedhjes për qytetarët, prezantoi kështu krijesën e tij politike Astrit  Patozi

Në fakt çdo here ku politika shqiptare është në krize  apo çdo herë kur ka përplasje të brendshme në partitë politike, atëherë lind një tjetër parti duke e përçarë edhe më shumë atë. Votuesi  tashmë është çorientuar duke bërë që  rezultati të jetë në favor të kundërshtarit politik.

Në këtë situatë ku opozita shqiptare ka djegur mandatet, po flitet për një sistem të ri politik, një klase të re politike dhe jo zgjidhje politike, secili po mundohet të dale në krye me alternativen e vet duke u shpallur elitë, duke thënë se ata janë të duhurit, por askush nuk di të thotë se kush i ka përzgjedhur. Kush i ka votuar dhe a janë ata përfaqësuesit e denjë për një klase të re politike për sa kohë janë po këta njerëz  që kanë qene pjese e” politikës së vjetër” që në krye të herës?

Sistemi ynë politik bazohet tek garancia që dy rivalët kryesorë në vend i kanë dhënë njëri tjetrit, për të nënshtruar çdo ide apo frymë demokratike brenda kampeve të tyre. Ilustrimi më i mirë për këtë ishte marrëveshja okulte e dy vjetëve më parë mes kryetarëve të dy partive të mëdha,shkruan me tej Patozi.

Por a do të thotë kjo që largimi i opozitës nga parlamenti nuk është hiç më pak por vijim i marreveshjes së 17-majit  apo kemi të bëjmë  me një marreveshje nr 2? Kjo kërkon  një tjetër analize por Patozi  e konfirmon bindshëm këtë fakt.

Dhe së fundmi dua  të ndalem dhe tek një nga pikat kryesore të shpalosura nga “Bindja Demokratike “

*Perëndimi është Siguria jonë Kombëtare

“Ne mendojmë se çdo parti politike që cënon orientimin perëndimor të Shqipërisë, është duke cënuar njëkohësisht sigurinë dhe vënë pikëpyetje ekzistencën tonë kombëtare.

Orientimi perëndimor i Shqipërisë, është shtylla kryesore për sigurinë tonë kombëtare. Në këtë kuadër, ne e shikojmë si jetike që i gjithë faktori shqiptar në Ballkan të orinetohet drejt Perëndimit, si e vetmja strategji që na bën bashkë, na bën më të fortë dhe na jep më shumë identitet”, shkruan nder të tjera Patozi.

Ky pasazh  nëse  mund ta quaj kështu na çon mbrapa në kohë duke konsideruar se vetëm pak javë më parë Shqipëria festoi 10-vjetorin e aderimit të saj në NATO dhe pak  muaj më vonë (qershor) presim hapjen e negociatave me BE-në. Që do të thotë se Shqipëria është në rrugën  e saj drejt integrimit europian, bazamenti i së cilës është shtruar me kohë, madje vete Patozi  ka kontribuar në ketë rrugë, sigurisht në kohen kur ishte vërtet i bindur demokratisht .

Perëndimi është siguria jonë kombëtare thotë Patozi, por a nuk duhet të jetë vete kombi shqiptarë pike së pari garanci për ekzistencën e tij? Partneriteti i Shqipërisë është i konsoliduar, ndaj përtej partnerëve tanë strategjike së pari punoni për zgjedhësit tuaj dhe për vetë kombin shqiptar. Është e pamundur të fitoni besimin e popullit shqiptarë duke i manipuluar me “besimin” ndërkombëtarë. Në fakt deri tani kështu ka funksionuar, por nëse vërtet “Bindja Demokratike” ka këtë si prioritet, atëherë asgjë e re nuk duket në horizont përpos  përsëritjes së historisë  por me të tjerë protagonistë.