Ish-diplomati për Ballkanin: Anëtarësimi në BE deri në 2025, jo real

Ish-diplomati amerikan, Hoyt Brian Yee, e quajti jo realist anëtarësimin e disa vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE deri në vitin 2025. Duke folur në takimin “Zgjidhja e pazgjidhur në Ballkanin Perëndimor” të mbajtur në Uashington, Yee u bëri thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor që të mos e braktisin ëndrrën e integrimit europian.

“Disa kleptokratë, zyrtarë të korruptuar mund ta përdorin anëtarësimin për t’i gënjyer popujt e tyre duke premtuar anëtarësim në BE për dy, tre apo pesë vjet. Unë nuk kërkoj alternativa të tjera për integrimin europian, por një axhendë të qartë përparësish”. Yee i bëri thirrje Serbisë që të vendosë në mënyrë të qartë nëse kërkon anëtarësimin në Bashkimin Europian apo synon t’i orientojë marrëdhëniet drejt Rusisë.

Sipas tij, qasja në dy drejtime të ndryshme nuk është e mundur. Ai ndërkohë u shpreh kundër ndryshimit të kufijve në vija etnike. ”Unë mendoj se historia e ndarjes së territorit përgjatë vijave etnike nuk është e mirë nga pikëpamja pragmatike, politike apo diplomatike”.