Shtyhet seanca për Klement Balilin

Është shtyrë sërish pretenca për Klement Balilin në Gjykatën për Krime të Rënda.

Shkak për këtë është bërë kërkesa e avokatit mbrojtes Theodhori Sollaku për të shtyrë seancën që t’i jepej kohë.

Senaca e radhës për Balilin do të mbahet me datën 7 maj. Në seancën e sotme ishte parashikuar që do të fliste mbrojtja, por avokati Theodhori Sollaku argumentoi se nuk ka arritur të bëhet gati për shkak të volumit të materialit prej 1100 faqesh që duhej kaluar.

Balili akuzohet për “Trafikim të lëndëve narkotike në bashkëpunim, “pjesëmarrje në grupin e strukturuar kriminal”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive”, si dhe për “Pastrim parash”.

Balili u vetëdorëzua në mëngjesin e 15 Janarit në Policinë e Tiranës, pas 2 vitesh arrati, në momentin kur dosja hetimore ndaj tij ishte dërguar në Gjykatë.

Më shumë se dy vite kanë zgjatur hetimet për Balilin, pjesa më e madhe e të cilave është e bazuar në përgjigjet e marra nga letërporositë e ardhura nga Greqia.