Shteti heq dorë nga pronat pranë investimeve private! Akti normativ: Aplikohet metoda e tjetërsimit

Shteti shqiptar ndërmerr një “hap pas” me qëllim zhbllokimin e ngërçit që u krijohet shpeshherë investimeve private.Nisma ligjore e dërguar në Kuvend parashikon privatizimin e pronave me pronësi shtetërore në rastet kur janë pjesë e një plani vendor që parashikon një investim të rëndësishëm.

Kjo nismë merr shkas nga vullneti i mirë për të adresuar disa problematika që ndeshen aktualisht me disa sipërfaqe toke shtetërore, të cilat preken nga planet e përgjithshme vendore. Konkretisht, në mjaft raste ekzistojnë sipërfaqe të ndryshme toke pronë private të cilat janë të përfshira në planet e miratuara të zhvillimit urban nga ana e njësive të vetëqeverisjes vendore.

Por këto sipërfaqe toke private rrethojnë, prekin ose janë menjëherë në kufi me copëza/sipërfaqe relativisht të vogla toke në pronësi të qeverisjes qendrore ose të njësive të vetëqeverisjes vendore. Në praktikë këto rrethana sjellin probleme për investitorët që përkthehen me pengesa në kryerjen e disa investimeve të rëndësishme në vend, si dhe sjellin si rezultat moszbatimin e planeve vendore të miratuara.

Kjo, sepse investimet private pengohen nëse investimi nuk do të përfshinte edhe këto sipërfaqe të vogla shtetërore, një pjesë e mirë e të cilave prej kohësh rezulton të ketë humbur edhe funksionet për të cilat janë përdorur dikur” shkruhet në relacionin e nismës.

Në rastin konkret, planet e përgjithshme vendore që kanë miratuar zhvillimin e zonave të caktuara nuk po zbatohen, pikërisht sepse në disa raste plani përfshin copëza toke shtetërore, regjimi juridik i të cilave nuk njihet me siguri. Në shumicën e këtyre rasteve, toka shtetërore nuk tejkalon 20 % të sipërfaqes totale në raport me tokën private që e rrethon apo e kufizon atë.

Por, megjithëse toka shtetërore zë një sipërfaqe relativisht të vogël dhe ndonjëherë gati-gati të papërfillshme në raport me investimin, mungesa e qartësisë në kuadrin ligjor aktual në lidhje me këto copëza toke po shkakton pengesa të mëdha për investimet private dhe për vënien në zbatim të planeve të përgjithshme vendore.

Prandaj, një nga përparësitë e kësaj nisme është parashikimi i mundësisë ligjore që këto sipërfaqe toke shtetërore të mund t’i tjetërsohen të tretëve, në funksion të zbatimit të planeve të përgjithshme vendore dhe me qëllimi realizimin e investimeve të rëndësishme për vendin. Në projektligj është parashikuar që t’i delegojë Këshillit të Ministrave kompetencën e përcaktimit të kushteve dhe kritereve që do të duhet të plotësojnë kërkuesit, mënyrën e vlerësimit të pronës shtetërore si dhe të organeve që do të përfshihen në këtë proces.

Zgjerimi i privatizimit

Nisma ligjore në thelb ndryshon aktin normativ të vitit 2008 për privatizimet dhe parashikon një shtesë. Synimi i kësaj shtese është zgjerimi i konceptit të privatizimit të parashikuar në aktin normativ, që krahas formës së privatizimit me mënyrën e tenderit, të parashikojë edhe formën e privatizimit me metodën e “tjetërsimit”, siç do të jepet në dispozitat e reja që paraqiten në vijim.

Referuar projektligji, tjetërsimi do të bëhet nëpërmjet kontratave të tjetërsimit ku pronësia mbi pasurinë kalon në çastin e lidhjes se kontratës së tjetërsimit të kësaj pasurie. Blerësi apo përfituesi i kësaj pasurie bëhet pronar i ligjshëm i saj që në momentin e nënshkrimit të kontratës, duke fituar të gjitha të drejtat dhe detyrimet që lidhen me qenien e tij si pronar mbi këtë pasuri. /scan