T’i heqim vizën Ramës, para se BE t’ua heqë shqiptarëve

Parlamenti Holandës votoi dje me 108 vota pro dhe 42 kundër duke vendosur për rikthimin e vizave me Shqipërinë. Pesë partitë që përbëjnë shumicën në këtë parlament, argumentuan se vendimi vjen për shkak të kriminalitetit të shtuar shqiptar në Holandë. Propozimi i Holandës pritet të diskutohet në institucionet e Bashkimit Europian dhe fjalën e fundit e thotë Komisioni Europian. Pavarësisht se si procedohet deri në KE, vendimi i marrë dje nga Holanda është një lajm i keq për shqiptarët dhe një sinjal negativ në momentin që Shqipëria pret çeljen e negociatave për në BE. Rreziku mbetet se mund dhe disa shtete të tjera të fillojnë të njëjtën procedurë si Hollanda.

Votimi i djeshëm në Holandë e kthen Shqipërinë, të paktën 10 vite pas. Deri në hyrjen e Shqipërisë në zonën Shengen, qeverive shqiptare që nga viti 1991 dhe deri në vitin 2010 iu është dashur të plotësojnë qindra kushte, kritere, afate dhe miliona euro investime për të mundësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve. Në atë kohë, lëvizja e lirë në BE pa nevojën e vizave u cilësua si një nga arritjet më të mëdha të Shqipërisë, pas hyrjes në NATO. Sot kjo arritje është e kërcënuar seriozisht dhe Shqipëria rezulton të hyjë në zonën e vendeve më problematike. Pavarësisht se cili do të jetë vendimi i KE, fakti që arritëm deri në këtë pikë tregon se Qeveria aktuale ka dështuar në prioritetin kryesor që ka pasur çdo mazhorancë në vend; integrimi në BE. Pavarësisht vendimit të KE, sinjali që marrin gjithë vendet anëtare të Unionit Europian për Shqipërinë e dëmton më shumë se kurrë gjithë procesin integrues. Teksa Holanda do të kërkojë rikthimin e vizave, është e pashmangshme që vendet e tjera të shprehen në favor të çeljes së negociatave në muajin qershor, apo në shtator me parlamentin e ri europian.

Vendimi i Holandës nuk është i rastësishëm dhe ka përgjegjës direkt qeverinë shqiptare. Kriteri kryesor për heqjen e vizave nga politikanët hollandez është rritja e kriminalitetit dhe trafiqeve. Qeveria shqiptare ka dështuar në bashkëpunim me këtë vend kundër krimit, si dhe Ministria e Brendshme nuk ka arritur të sigurojë palën tjetër se këtu lufta ndaj krimit po bëhet në mënyrë serioze. Nga ana tjetër, vendimi i Holandës është dhe një dështim spektakolar i gjithë diplomacisë sonë. Në këto muaj, kur në Holandë diskutohej për vizat ndaj Shqipërisë, Ministria e Jashtme nuk ka marrë asnjë masë për të informuar apo lobuar me palën tjetër. Shkarkimi i një diplomati profesionist si Ditmir Bushati dhe zëvendësimi i tij me një amator si Gent Cakaj, po jep sot efektet e para. Në vend që ministri i Jashtëm këto ditë të ishte në Holandë duke negociuar me qeverinë dhe institucionet, e shohim çdo ditë në Tiranë duke u marrë me targa makinash të ministrisë dhe me shkarkimet e sekretareve në ambasada. Për shkak të kësaj miopie të ministrive të linjës që përgjigjen direkt për vizat, shqiptarët rrezikojnë të kthehen në kohën kur mbanin radhë në ambasada. Sepse vendimi i rikthimit të vizave nuk prek zyrtarët me pasaporta shërbimi, por gjithë qytetarët që tashmë u rikthehen edhe një herë historive me sekserë vizash dhe skafistë që kryejnë transport. Një zhvillim i tillë negativ që e kthen Shqipërinë në një “burg” dhe vend të izoluar si dikur, sigurisht që nuk ka përgjegjës vetëm disa ministra. Përgjegjësi kryesor që e ka kthyer vendin të paktën 10 vite pas është Edi Rama. Vendimet që ka marrë, si dhe gjithë strategjia e tij në raport me BE, po jep rezultatet më fatale të mundshme për qytetarët shqiptarë. Teksa në Holandë diskutohet për kthimin e vizave, duket të kuptojmë se tani në BE nuk ka më vend fjala hapje negociata me Shqipërinë. Është një goditje që nuk ka të bëjë me ndarjet partiake opozitë apo qeveri, por lidhet me çështje të izolimit të qytetarëve dhe dalje nga projekti i integrimit të vendit në BE. Një rrëshqitje nga ky projekt sjellë pasoja që cenojnë interesat kombëtare të vendit. Të gjithë shqiptarët që kanë vuajtur me dekada në dyert e ambasadave nuk duhet vetëm të luten që propozimi i Holandës të mos merret parasysh nga KE.

Para se BE ta marrë seriozisht një vendim të tillë për të hequr vizat është koha që shqiptarët t’i heqin vizën qeverisë “Rama”, që e solli vendin në këtë pikë.