Spekulim me fjalët turp, nder …

Nga Tonin Çobani-

Çfarë do të thotë e turpshme? (Balla tha se sulmet e përsëritura për “Rinasin” ndaj Policisë së Shtetit janë gjëja më e turpshme.)
Çfarë do të thotë e ndershme? (Rama: “Nuk ka ndonjë provë që zgjedhjet nuk do të jenë të lira dhe të ndershme.”)

Spekulimi është i dukshëm: e turpshme ose e paturpshme është grabitja ditën për diell e milionave në të vetmin aeroport të vendit (të mos guxojë kush të bëjë pyetje për sigurinë); zgjedhje të ndershme ose të pandershme, gjithashtu, janë e njëjta gjë (të mos guxojë njeri të shqiptojë fjalët sipas ligjit ose të mbështetura në ligj).

Në sa po e shkruaj këtë arsyetim më duket një punë kot fare. A nuk e dinë politikanët tanë (dhe analistët, opinionistët) këtë spekulim? Mendoj se po. Atëherë ata po tallen me veten. Një ditë fëmijët e tyre do ta ndiejnë veten në siklet për turpësinë (ose paturpësinë ) e prindërve të tyre, për ndershmërinë (ose, më saktë, pandershmërinë).

Epoka e internetit është sot një arkivë e hapur për të gjithë. Arkiva elektronike nuk do të mund të mbahet paturpësisht nën kontroll të një kaste a klani politik përkohësisht të fuqishëm, që vendos të hapen ose të mos hapen dosjet e njërit apo tjetrit bashkëkohës.

Në arkivat elektronike do të kenë akses të gjithë. Aty nuk do të mund të bëhen falsifikime, sepse kushdo që përpiqet do të lejë gjurmën e vet të krimit.

Përgjegjësia nuk mund të jetë etike (turp, nder), por veçse ligjore ose e mbështetur në ligj.

Dhe ligji nuk do të mund të jetë ligj, duke qenë partiak a bipartiak , por një ligj i popullit, që del prej popullit dhe për popullin (Abraham Linkoln).