Gjermania jep 2 mln euro për zhvillimin e fshatrave në Shqipëri

Qeveria gjermane do të financojë një projekt të ri me vlerë 2 milionë euro për zhvillimin e qëndrueshëm rural në Shqipëri. Marrëveshja është nënshkruar nga ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi dhe drejtori i GIZ Hannes Cassens. Kjo marrëveshje synon të adresojë si duhet sfidën e konsolidimit dhe orientimit të bujqësisë në Shqipëri drejt një bujqësie më konkurruese. Në fjalën e tij, ministri Çuçi tha se kjo paketë është tërësisht e fokusuar në objektiva realë. Pas implementimit të këtij programit të parë, tha ministri, do të kemi edhe një marrëveshje tjetër me shtesë fondi prej 8 milionë euro.

Katër janë shtyllat kryesore ku do të fokusohet bashkëpunimi mes Ministrisë së Bujqësisë dhe GIZ.

1. Implementimi i strategjisë dhe politikave për Zhvillim Rural (mbështetje për zhvillimin e strategjive dhe politikave në përputhje me kërkesat e BE, duke rritur përthithjen e fondeve të IPARD).

2. Promovimi i zinxhirit të vlerës së produkteve tipike në zona të caktuara (zgjedhja e produkteve do të ketë orientim ndaj tregut, produkteve tradicionale apo produkteve të turizmit rural)

3. Përmirësimi i edukimit dhe forcimi i dijeve në Bujqësi dhe Turizëm Rural.

4. Rritja e kapaciteteve dhe njohurive në Bujqësi dhe Zhvillim Rural (mbështetje ndaj shërbimit këshillimor, shoqërisë civile, organizatave etj… me një fokus të veçantë në inovacionin në bujqësi).