Vuçiç do të bisedojë me Putin për situatën në rajon

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç i ka thënë ambasadorit rus në Beograd, Aleksandar Çepurin, se bisedimet me Kosovën nuk mund të vazhdojnë, derisa të hiqet tarifa ndaj mallrave serbe e vendosur nga autoritetet në Prishtinë.

Sipas një njoftimi nga presidenca serbe, Vuçiç ka biseduar me ambasadorin rus për takimin e ardhshëm të tij me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin në kuadër të forumit “Brezi dhe Rruga”, i cili mbahet më 25 deri më 27 prill në Kinë.

Presidenti Vuçiç ka thënë se bisedimet do të fokusohen në bashkëpunimin e dyanshëm dhe situatën në rajon.

Ky do të jetë takimi i dytë mes dy presidentëve gjatë këtij viti.

Putin vizitoi Beogradin më 17 janar ku deklaroi se “Rusia pajtohet që Beogradi dhe Prishtina të arrijnë një marrëveshje të pranueshme reciproke në përputhje me rezolutën 1244”./ REL